I akuzuar i pari nga Specialja: Çka ndodhi për një vit me aktakuzën kundër Pjetër Shalës?

  • G.G /
  • 21 April 2021 - 12:33
I akuzuar i pari nga Specialja: Çka ndodhi për një vit me aktakuzën kundër Pjetër Shalës?

Ish-komandanti i zonës së Dukagjinit, Pjetër Shala, i njohur me nofkën “Ujku” është i akuzuari i radhës i  Gjykatës Speciale.  Ai u paraqit për herë të parë të hënën  para gjykatësit të Procedurës Paraprake, teksa u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat ndaj tij.

Në fakt, Pjetër Shala është ndër të parët persona të akuzuar nga Gjykata Speciale. Dosja e Pjetër Shalës, apo aktakuza kundër tij, tek Gjykatësi i Procedurës Paraprake ishte dorëzuar më 14 shkurt të vitit që lamë pas, në të njëjtën ditë me atë të Salih Mustafës.

Më 12 qershor ndërkaq Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou kishte konfirmuar dy aktakuza kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, dhe ato ishin pikërisht kundër Salih Mustafës e Pjetër Shalës.

Ajo që bie në sy, është fakti se aktakuza kundër Salih Mustafës është bërë publike më 28 shtator të vitit të kaluar, periudhë kjo kur ai edhe ishte arrestuar, ndërkaq që kjo e Pjetër Shalës ka marrë më shumë se një vit kohë që të publikohet dhe të procedohet më tutje, pra saktësisht  më 15 prill, 2021.

Për dosjen “KSC-BC-2020-04” dyshohej se ishte një aktakuzë e cila ishte hedhur poshtë nga gjykatësi i Procedurës Paraprake. Kjo për shkak se në bazë të dispozitave ligjore, gjykatësi paragjyqësor ka gjashtë muaj kohë që të  marrë një vendim në lidhje aktakuzën e dorëzuar, teksa një i tillë nuk ishte publikuar nga Dhomat e Specializuara për më shumë se një vit.

Kësisoj, Pjetër Shala, në luftë i njohur me nofkën “Komandant Ujku”, bashkë me Salih Mustafën janë personat e parë ndaj të cilëve është dorëzuar në Gjykatë, aktakuza për krime të luftës.

Ndaj Pjetër Shalës, nga Prokuroria e Hagës rëndojnë katër akuza: Ndalimi arbitrar, Trajtimi mizor, Tortura, Vrasja.

Të gjitha këto këto vepra sipas dosjes së Prokurorit të Specializuar janë zhvilluar mes 17 majit dhe 5 qershorit të 1999-tës në

Paraqitje e radhës e Pjetër Shalës do të jetë këtë të premte më 23 prill në Konferencën e Parë Mbi Ecurinë e Çështjes.

(Kosova Sot Online)