Pretendimet e Sallahut se dikush në Hagë mori më shumë para, Haxhiu thotë se shpejt do t’i zbulojnë shpenzimet

  • E.K /
  • 23 April 2021 - 17:52
 Pretendimet e Sallahut se dikush në Hagë mori më shumë para, Haxhiu thotë se shpejt do t’i zbulojnë shpenzimet

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, pretendon se në bazë të fjalëve që i ka dëgjuar në ministri, dikush nga të akuzuarit në Hagë ka marrë më shumë para nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e tyre. Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, tha se shumë shpejt do të publikohen të gjitha shpenzimet që i kanë bërë të akuzuarit në Hagë.

Nuk dihet ende nëse kanë nisur hetimet për verifikimin e informacioneve që  zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu i posedon lidhur me atë se dikush nga të akuzuarit në Hagë ka marrë më shumë para se sa duhej për mbrojtjen e tyre.

Por, ministrija e Drejtësisë , Albulena Haxhiu konfirmoi sot se tashmë e kanë ndryshuar Ligjin që mundëson qasjen në shpenzimet që i kanë bërë të akuzuarit në Hagë për mbrotjen e tyre.

“Me vendimin e ish-kryeministrit Haradinaj, ne kemi qenë në pamundësi që të bëjmë publike veç e veç për personat se sa buxhet kanë marrë për mbrojtejn e tyre. Prandaj në këtë drejtim, në bashkëpunim me Zyrën e  Kryeministrit tash është marrë vendimi nga kryeministri Kurti, për të lejuar qasje në shpenzimet veç e veç ndaj këtyre personave”, ka thënë ajo.

Ndryshimi i këtij vendimi sipas Haxhiut do të lejojë qasjen në shpenzimet e secilit nga të akuzuarit në Hagë.

“Ata persona marrin buxhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Nuk ka se pse ta fshehim se sa buxhet është ndarë për cilin person. Buxheti i shtetit duhet të jetë transparent. Edhe në koordinim me kryeministrin Kurti ne e kemi shfuqizuar atë vendim dhe na duhen edhe disa ndryshime në udhëzimin administrativ i cili pas shtatë ditësh pas nënshkrimit shpallet në Gazetën Zyrtare dhe kushdo që dëshiron qasje në to mund t’i ketë”, ka thënë Haxhiu.

Në ndërkohë pas deklaratës së Sallahut në vend ka pasur reagime për sa i përket mënyrës se si ai i ka treguar ato informacione në një debat televiziv.

Sipas Gëzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), vet mënyra se si është deklaruar zv.ministri Sallahu për këtë temë nuk ka qenë e duhura.

Ai tha se Sallahu është dashur që fillimisht të mbledh fakte përmes mekanizmave të brendshëm nëse ka ndodhur një gjë e tillë.

“Në fakt çështja kryesore në këtë rast ka të bëj tek mënyra se si është deklaruar zotëri Sallahu. Duhet ta kemi parasysh se z.Sallahu është zëvendësministër i drejtësisë dhe para se i njëjti të jap deklarata të tillë në publik, si në cilësinë e hulumtuesit apo të mediave i njëjti duhet që përmes mekanizmave të tij të brendshëm të shikojë faktin nëse kanë ndodhur veprimtari trë tilla që në mënyrë selektive janë trajtuar palët në kuptim të mbrojtjes juridike ose në Gjykatën Speciale. Në këtë drejtim Republika e Kosovës ka ligje dhe ka akte nënligjore që rregullojnë gjithë procedurën se si bëhet mbrojtja juridike dhe cilat janë edhe kompensimet. Për këtë arsye para së gjithash z.Sallahu është dashur që të aplikojë mekanizma të brendshëm të llogaridhënies dhe publikun ta informojë krahas të tjerave edhe për masat që ka ndërmarr ”, ka thënë ai.

Më tutje Shala tha se në vazhdimësi kanë kërkuar që të bëhet publike shpenzimet për mbrojtjen e  të akuzuarve nga Gjykata Speciale, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Çështja e dytë është se IKD-ja vazhdimisht ka kërkuar që faturat e shpenzimeve dhe për mbrojtje juridike të Gjykatës Speciale të bëhen publike në mënyrë që edhe mediat të kenë qasje dhe të shohin se si po shpenzohet paraja publike dhe në këtë rast njëra prej shqetësimeve kryesore të IKD-së ka qenë pikërisht fakti se një fshehje e tillë e të dhënave rrezikon që të krijojë një trajtim të pabarabartë dhe selektiv të palëve të akuzuarve nga Gjykata Speciale. është e domosdoshme që Ministria e Drejtësisë t’i bëj publike të gjitha këto shpenzime”, ka thënë ai.

Më 14 prill, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se jozyrtarisht ka informacione se të akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë kanë marrë më shumë para se që duhet për mbrojtjen e tyre.

“Duhet të dihet saktë sepse është e rregulluar me akte ligjore se sa para i shkojnë një të akuzuari që paguan avokat. Në mënyrë jozyrtare kemi informacione se ka mundësi që ka dhënë dikush më shumë para se duhet. Flitet nëpër ministri që dikush nga të akuzuarit ka marrë para më shumë se që parashihet me akte nënligjore, sa është e saktë nuk e di. Duhet të verifikohej me kohë sepse nuk mund t’i kryejmë punët të gjitha menjëherë”, ka thënë Sallahu në një emision televiziv.

E ndaj kësaj deklarate të tij pati reaguar menjëherë ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

““Flitet nëpër ministri që dikush nga të akuzuarit ka marrë para më shumë se që parashihet me akte nënligjore, sa është e saktë nuk e di.” Të akuzuarve të speciales po ju bëhet luftë speciale në Kosovë. Ju zotëri jeni zvMinistër. Ju keni qasje në informacion. Ju nuk keni nevojë të shërbeheni me fjalë të korridoreve. Është joprofesionale dhe papjekuri”, pati shkruar ajo në një postim në “Facebook.

Në ndërkohë zëdhënësi i PDK-së i pati bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që ta intervistojë menjëherë zv/ministrin Sallahu lidhur me këtë deklaratë.

Aktualisht në paraburgim në Hagë gjenden, ish-eprorët dhe ushtarët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe Pjetër Shala.

(Kosova Sot Online)