Ministrja e Ekonomisë paralajmëron se brenda muajsh do të zgjidhet problemi i mospagimit të rrymës në veri

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 14:13
 Ministrja e Ekonomisë paralajmëron se brenda muajsh do të zgjidhet problemi i mospagimit të rrymës në veri

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli iu është përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me atë se a do të vepron diçka Qeveria që të gjendet një zgjidhje për mos pagesën e energjisë elektrike nga serbët në veri të Kosovës.

Rizvanolli ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje afatgjatë për këtë çështje, në mënyrë që të gjithë konsumatorët të trajtohen të barabartë.

“Mendoj që edhe në fillim kur fola isha e qartë, duhet të gjetur një zgjidhje afatgjatë që e rregullon konsumin në veri, që i trajton të gjithë konsumatorët të barabartë. Mendoj që të gjithë jemi të barabartë, duke përfshirë këtu edhe pagesën e energjisë elektrike”, tha ajo.

Megjithatë, ministrja e Ekonomisë thotë se për të gjetur një zgjidhje iu duhen disa muaj. Kjo çështje sipas saj është e ndërlikuar, e se tashmë kanë nisur takime me palën kosovare.

“Do të duhen muaj, operacionalizimi i zgjidhjes do të varet nga disa faktorë janë çështje të ndërlikuara teknike e politike. Jemi ulur me të gjitha palët kosovarëve me institucionet kosovare një nga një sepse mendojmë që është shumë e rëndësishme para se të aktivizojmë grupin punues, ne si palë kosovare, duhet ta kemi një propozim të qartë për hapat e ardhshëm, të hapim me një zë. Duhet të aktivizohet grupi punues”, tha Rizvanolli.

(Kosova Sot Online)