Luftë për ujë, së paku 13 të vrarë në kufirin mes Kirgizisë dhe Taxhikistanit

  • E.K /
  • 30 April 2021 - 11:58
 Luftë për ujë, së paku 13 të vrarë në kufirin mes Kirgizisë dhe Taxhikistanit

Së paku 13 persona janë vrarë, shumë të tjerë janë lënduar dhe rreth 10 mijë janë evakuuar, pasi një mosmarrëveshje për ujë eskaloi në një prej përleshjeve më të ashpra në kufirin e kontestuar mes Kirgizisë dhe Taxhikistanit.

Përleshjet filluan të mërkurën, kur njerëz nga të dyja anët e kufirit filluna ta sulmonin me gurë njëri-tjetrin pas instalimit të kamerave vëzhguese në një burim të ujit, shkruan BBC.

Autoritetet e të dyja vendeve arritën një marrëveshje për armëpushim dhe tërheqje të trupave, por të shtënat nuk u ndalën plotësisht.

Shifra e të vrarëve vjen vetëm nga ana e Kirgizisë, ndërsa nuk është e qartë se a ka viktima në territorin e Taxhikistanit dhe nëse po, sa janë. Sidoqoftë, mediet lokale të atij shteti raportuan për 10 të vrarë e 90 të lënduar.

Zona e kontestuar kufitare shtrihet përreth rajonit Batken të Kirgizisë. Sipas të dhënave të autoriteteve kirgize, në mesin e të vrarëve është edhe një vajzë e vogël.

Guvernatori i Batkenit tha se të dyja palët ishin marrë vesh që kamerat e vëzhgimit të largohen, por se Taxhikistani më pas refuzoi. Sipas raportimeve, në përleshje u përfshinë shpejt edhe rojat kufitare.

Njësitë ushtarake të të dyja shteteve filluan të shkëmbejnë të shtëna të enjten, por më vonë u arrit armëpushimi që hyri në fuqi në orën 20. Forcat e armatosura u tërhoqën dhe u kthyen në baza.

Demarkimi i dobët i kufirit mes Kirgizisë dhe Taxhikistanit ka shkaktuar disa përleshje mes dy vendeve që nga pavarësimi i tyre  më 1991 dhe rënia e Bashkimit Sovjetik.

(Kosova Sot Online)