Arben Vitia fajëson opozitën: Pse nuk i keni blerë vaksinat deri më 23 mars, shtetet tjera i kanë blerë

  • E.K /
  • 06 May 2021 - 11:28
 Arben Vitia fajëson opozitën: Pse nuk i keni blerë vaksinat deri më 23 mars, shtetet tjera i kanë blerë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka pyetur partitë opozitare se pse nuk kanë siguruar vaksinat sa kanë qenë në qeveri, por po e akuzojnë atë për mossigurimin e tyre.

Vitia ka thënë se gjatë këtij muaji Kosova është furnizuar me vaksina dhe se nga ky muaj do të vazhdojë edhe më tej furnizimi.

“Ka shumë vende që kanë filluar t’i blejnë vaksinat shumë mëherët se ne. Pse nuk i bletë kur ishit deri më 23 mars. E di saktë që zoti Tahiri ju jeni njoftuar shumë mirë me procesin e negociatave. Po ju them atë që ju kam thënë edhe në mbledhjen e kaluar, unë kam thënë vinë shpejt por kam thënë në muajin maj. Sot jemi më 6 maj, më 4 maj ka ardhur një kontingjent dhe do të vazhdojnë edhe kontingjentet tjera. Gjatë majit kam thënë se do të fillojë furnizimi i cili nuk do të ndalet. Për këtë ju garantojë”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, Vitia ka folur edhe për masat e marra kundër COVID-19, duke thënë se ato kanë rezultuar të suksesshme.

Ndërsa, sa i përket kërkesave për faljen e gjobave të bisneseve, ai ka thënë se këto mesazhe janë të gabuara.

“Që të kërkohet që të lirohen ose të ju falet këtyre bizneseve dënimet e shqiptuara, mendoj se është mesazh i gabuar dhe është një favorizim i atyre që nuk i kanë respektuar këto masa dhe është thirrje e bizneseve tjera që të mos respektojnë këto masa, të cilat janë treguar të efektshme. Unë mund të deklaroj se në Kosovë ka ekspertë që me rekomandimet e tyre, me 12 ditë të intervenimit të masave, kemi zbritur shifrat e të infektuarve”, ka shtuar ai.

Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu kritikoi Vitinë për mossigurimin e vaksinave, derisa tha se Kosova ende nuk ka asnjë kontratë të nënshkruajtur për to.

(Kosova Sot Online)