Piloti padit shokët: Më lidhën dhe gjuajtën afër meje me aeroplanë

  • E.K /
  • 08 May 2021 - 13:45
 Piloti padit shokët: Më lidhën dhe gjuajtën afër meje me aeroplanë

Një pilot francez ka paraqitur ankesë ligjore, pasi ishte subjekt i një rituali të rrezikshëm, me ç’rast kolegët e tij e kishin lidhur, ndërsa aeroplanët luftarakë hapnin zjarr përreth tij, tha avokati i pilotit.

Piloti i ri sapo ishte dërguar në një bazë ajrore në jug të ishullit të Korsikës në mars të vitit 2019, kur ishte kapur nga kolegët dhe ishte lidhur me ngjitës. Këto hollësi i bëri të ditura avokati i tij, që foli për gazetën “La Provence”.

Pasi i ishte vendosur një qese në kokë, rekruti në të tridhjetat ishte dërguar në një fushë për gjuajte, ishte lidhur në një pikë të cakut dhe më pas kishte dëgjuar aeroplanë luftarakë duke hapur zjarr dhe duke hedhur municion afër tij për 20 minuta, raporton gazeta franceze.

Avokati Frederic Berna i tha agjencisë AFP se ka paraqitur ankesë në një gjykatë në Marsej dhe pritet që ndaj pilotëve të ngrihet aktakuza për rrezikim të jetës së njeriut dhe dhunë të rëndë, shkruan The Guardian.

Ky incident raportohet vetëm disa muaj pas dënimit të tre ushtarëve francezë për një ceremoni brutale, e cila kishte përfunduar përfundoi me vdekjen e një rekruti të ri më 2012.

Viktimës 24-vjeçare i ishte kërkuar që të notonte në ujëra moçalore në mes të natës, i rënduar edhe nga pajisjet në trup. Tre ushtarë, të akuzuar për vrasje, u shpallën fajtorë për këtë rast.

Image

(Kosova Sot Online)