“Nuk mposhtet COVID-19 në një botë të ndarë”, OBSH thirrje G 7: Financoji vaksinat dhe testet për të mposhtur pandeminë

  • E.K /
  • 08 May 2021 - 16:32
“Nuk mposhtet COVID-19 në një botë të ndarë”, OBSH thirrje G 7: Financoji vaksinat dhe testet për të mposhtur pandeminë

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka ngritur shqetësimin në lidhje me shpërndarjen e pabarabartë të vaksinave.

Ai ka thënë se pjesa më e madhe e vaksinave të prodhuara deri më tani është shpërndarë për vendet më të pasura të votës, ndërsa vendet e varfra, kanë marrë doza mjaft të pakta.

“Pothuajse 1.25 miliardë doza vaksinash COVID-19 janë shpërndarë në të paktën 210 shtete në të gjithë botën. Rreth 45 % të dozave, janë administruar në vendet e pasura, e cila përbën 16 % të botës. Ndërsa vetëm 0.3% e vaksinave janë shpërndarë në 29 vende me të ardhura të ulëta. Kjo lloj ndarje është e papranueshme, e pa moralshme. Nuk mund ta mposhtim virusin me një botë të ndarë”, u shpreh Tedros Adhanom Ghebreyesus

Këtë thirrje kreu i OBSH ia ka drejtuar G7, e cila përbëhet nga shtatë shtete me fuqi të madhe industrial. Sipas Ghebreyesus, G7 ka fuqinë financiare në mënyrë që të financojë vaksinat dhe testet e nevojshme për të mposhtur pandeminë.

Sakaq, nga të dhënat e publikuara nga OBSH, në këtë fazë që jemi, nevojiten rreth 45 miliardë dollarë investime në vaksina, për të imunizuar të gjithë të rriturit në botë. Tedros, kërkon që Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat përbëjnë dhe G 7, të ndihmojnë në financimin e kësaj shume dhe vaksinimi masiv të ndodhë.

Është e trishtë që shumë vende po shënojnë mijëra infeksione dhe vdekje në ditë. E kam fjalën për Indinë, Brazilin, Nepalin, apo edhe vende të tjera. Kjo ndodh nga sjellja e qytetarëve, dalja e varianteve të reja e vaksinimi i pakët”, përfundoi kreu i OBSH.

(Kosova Sot Online)