Kryeministri Kurti e konfirmon që vaksinat e ardhura sot janë Astra Zeneca

  • G.G /
  • 12 May 2021 - 12:45
Kryeministri Kurti e konfirmon që vaksinat e ardhura sot janë Astra Zeneca

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot se vendi është furnizuar me 38 mijë e 400 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Ai e ka konfirmuar se këto vaksina janë të Astra Zenecas, për dallim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Programi i UNICEF’it në Prishtinë, të cilat sot bënë të ditur se ka ardhur furnizimi prej 38 mijë e 400 dozave të vaksinave, duke mos e përmendur se vaksinat janë të Astra Zenecas.

Kujtojmë që për marrjen e vaksinës së Astra Zenecës, ka pasur ngurrim nga ana e punëtorëve shëndetësorë, por jo edhe nga të moshuarit.

Shkrimi i tij i plotë:

Sot, në ditën ndërkombëtare të infermierëve, kanë arritur 38,400 doza të vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19. Së bashku me Ministrin Vitia, Ambasadorin Abbott, Ambasadorin Szunyog, Ambasadoren Butel, Ambasadorin Rohde, Koordinatoren për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, drejtorin e UNICEF-it, Murat Sahin, dhe drejtoreshën e USAID-it, Lisa Magno, pranuam kontingjentin e ri me vaksina në kuadër të Aleancës COVAX.

Infermierët, qysh nga muaji mars i vitit të kaluar, kanë qenë në front të përballjes me pandeminë COVID-19. Ata asnjë ditë nuk kanë pushuar e më së paku janë kujdesur për vetveten, sepse pareshtur janë përkujdesur për shëndetin tonë.

Edhe tani, në fazën e vaksinimit, infermierët po luajnë një rol kyç. Përkushtimi i tyre i përditshëm na detyron neve si qeveri që të angazhohemi maksimalisht që të sigurojmë doza sa më shumë, në mënyrë që të përmbushim synimin që brenda vitit të imunizohen 60% të popullatës. Kështu, shpresojmë që do t’ua lehtësojmë punën sadopak infermierëve tanë.

(Kosova Sot Online)