Anëtari i Kryesisë së degës së LDK-së në Podujevë i bashkohet Tahirit të AAK-së në garën për zgjedhjet lokale

  • E.K /
  • 15 May 2021 - 17:26
 Anëtari i Kryesisë së degës së LDK-së në Podujevë i bashkohet Tahirit të AAK-së në garën për zgjedhjet lokale

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka prezantuar sot kandidatin për asamble komunale Egzon Bejta, i cili ështC anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Podujevë.

Tahiri, përmes një postimi në Facebook, tha se Bejta që nga mosha 18 vjeçare ka qenë i angazhuar në politikë dhe se së fundi ai ishte anëtarë i kryesisë së degës së LDK-së dhe kryetar i nëndegës së dytë të qytetit.

“Sot, Egzon Bejta, iu bashkua edhe zyrtarisht ekipit tim në garën për kryetar të Podujevës. Egzoni, me profesion është Ekonomist i diplomuar, edhe pse i ri në moshë, ai ka një përvojë të madhe në politikë. Që nga mosha 18-vjeçare ka qenë i angazhuar në politikë, së fundi ishte anëtar i kryesisë së degës së LDK-së dhe kryetar i nëndegës së dytë të qytetit”, tha Tahiri.

Tahiri po ashtu bëri të ditur se Bejta është profesionist i ri dhe ambicioz i cili posedon dhjetëra certifikime dhe trajnime në fushën e politikës, menaxhimit dhe lidershipit nga organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

Tutje, Tahiri theksoi se Egzoni vjen nga një familje e cila është e respektuar dhe e cila gjeneratë pas gjenerate ka kontribuar shumë për vendin.

“Egzoni, është një profesionist i ri ambicioz, ka mbi dhjetë certifikime dhe trajnime në fushën e politikës, menaxhimit dhe lidershipit nga organizata ndërkombëtare dhe vendore. Synimi i tij është që Llapit t’i kthehet nami që e ka pasur, ndërsa komuna të qeveriset me të rinj, derisa qyteti i Podujevës të jetë zonë urbane e evropiane. Egzoni vjen nga një familje shumë e respektuar, që gjeneratë pas gjenerate ka dhënë shumë për qytetin dhe gjithë vendin. Egzon, urime! Na priftë e mbara”, ka shkruar Tahiri.

 

(Kosova Sot Online)