Presidenti i kërkoi falje Serbisë për bombardimet, kryediplomati çek: Është deklaratë personale e tij

  • E.K /
  • 19 maj 2021 - 10:33
 Presidenti i kërkoi falje Serbisë për bombardimet, kryediplomati çek: Është deklaratë personale e tij

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Jakub Kulhánek tha se kërkim-falja e lëshuar ndaj Serbisë nga Presidenti Çek në lidhje me bombardimin e Republikës Federale të Jugosllavisë gjatë luftës në Kosovë, ishte një “deklaratë personale”.

I pyetur nga Exit News mbi qëndrimin e tij në lidhje me deklaratën e bërë nga Presidenti Milos Zeman, Kulhánek tha se politika e Ballkanit Perëndimor është komplekse.

“Një dialog afatgjatë është i nevojshëm për të zgjidhur jo një, por dhjetëra, në mos qindra keq-bërje”, thuhet në përgjigjen e shkruar të Kulhánek.

Kulhánek shtoi se të kesh marrëdhënie “të shkëlqyera” me Serbinë, siç janë sot, është një gjë thelbësore.

“Qoftë në nivelin ekonomik apo politik. Në një masë të madhe, këto marrëdhënie aktuale janë të mëdha falë Presidentit Zeman dhe unë e vlerësoj atë”, tha ai.

Dje, në një konferencë të përbashkët shtypi të mbajtur me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Zeman deklaroi se fushata ajrore e NATO-s kundër ushtrisë serbe kishte qenë “një gabim”.

“Si burrë, do të kërkoja nga populli serb që të na falë. [Më ka shqetësuar] gjatë gjithë kohës”, tha Zeman.

“Më lejoni të them menjëherë se unë kërkoj falje për bombardimet në Republikën Federale të Jugosllavisë”, përsëriti ai.

Republika Çeke njohu Kosovën në maj 2008, tre muaj pasi vendi shpalli pavarësinë e tij, ndërsa e hapi ambasadën e saj në Prishtinë në korrik të po atij viti.

(Kosova Sot Online)