Mbi 51 mijë qytetarë vaksinohen kundër COVID-19 në Kosovë

  • G.G /
  • 19 May 2021 - 13:07
Mbi 51 mijë qytetarë vaksinohen kundër COVID-19 në Kosovë

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi gjatë konferencës për medie të mbajtur sot tha se gjatë së mërkurës janë vaksinuar mbi 250 persona të moshës mbi 65 vjeçare duke përfshirë edhe një pjesë të personelit shëndetësor.

Ai ka bërë të ditur se deri tani në nivel vendi janë vaksinuar mbi 51 mijë persona, duke shtuar se problemet me aplikimin online ende janë evidente.

“Edhe sot është duke vazhduar vaksinimi në sallën ‘1 Tetori’ dhe të gjitha qendrat tjera në nivel vendi. Deri në këto momente janë vaksinuar mbi 250 persona, ndërsa nëse llogarisim shifrën totale rreth 1,430. E për pjesën e përgjithshme që nga fillimi i vaksinimit. Shifra totale është mbi 51 mijë vaksina të dhëna tashmë. Sa i përket vaksinimit të personave me moshën mbi 65 vjeç janë duke u vaksinuar edhe nga personeli shëndetësor dhe gjithçka është duke shkuar në rregull”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se ende ka shqetësime nga qytetarët për aplikimin online, por që sipas tij, janë duke punuar që të krijojnë lehtësira.

“Sa i përket shqetësimit të qytetarëve për shkak të vështirësive në aplikim ajo akoma është evidente mirëpo jemi duke tentuar për lehtësira, ndërsa për pjesën e konsumimit të vaksinave ne vazhdojmë me kontingjentin që kemi dhe për pjesën tjetër nuk vendosim ne”, tha Bardhi.

(Kosova Sot Online)