Qëllohet me armë në kokë një aktiviste e re

  • E.K /
  • 24 May 2021 - 10:46
Qëllohet me armë në kokë një aktiviste e re

Një aktiviste e re nga lëvizja Black Lives Matter ndodhet në gjendje kritike në një spital në Londër pasi u qëllua në kokë. 27-vjeçarja Sasha Johnson, nënë e tre fëmijëve, ishte kërcënuar vazhdimisht me vdekje. Të shtënat ndodhën në rrethin Southwark, në jug të metropolit anglez.

Episodi u raportua nga aktivistët e partisë “Taking the Initiative”, që janë aktivë në fushën e barazisë sociale dhe të drejtave civile.

“Me shumë trishtim ju informojmë se Sasha Johnson u qëllua me armë në kokë. Ajo gjithmonë ka qenë e përfshirë në luftën për njerëzit me ngjyrë dhe kundër padrejtësive që rrethojnë komunitetin me ngjyrë”, shkruan lëvizja duke i ftuar njerëzit të luten për shërimin e saj.

“Ne të gjithë shpresojmë që gjendja e vajzës të përmirësohet. Hetimi ynë është në fillimet e tij dhe ne po përpiqemi të kuptojmë rrethanat”, tha kryeinspektori Jimi Tele, i cili u bëri thirrje banorëve të Rrugës së Konsortit, ku ndodhi sulmi, që të kontrollojnë kamerat e citofonëve dhe zileve të derës në kërkim të ndonjë të dhëne.

(Kosova Sot Online)