Izraeli: Vaksina e Pfizer-it mund të ketë shkaktuar inflamacion te zemrës te të rinjtë

  • E.K /
  • 02 qershor 2021 - 10:48
 Izraeli: Vaksina e Pfizer-it mund të ketë shkaktuar inflamacion te zemrës te të rinjtë

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha të martën se ka gjetur një numër të vogël të rasteve me inflamacion të zemrës kryesisht te djemtë dhe burrat e rinj që e kanë marrë vaksinën e kompanisë Pfizer për Covid-19.

Vetë kompania ka thënë se nuk ka regjistruar shkallë të lartë të këtij problemi shëndetësor, të njohur si myocarditis, sesa do të pritej normalisht në popullsinë e përgjithshme, shkruan Reuters.

 

Në Izrael, 275 raste me myocarditis janë raportuar nga dhjetori i vitit 2020 deri në maj të këtij viti në mesin e 5 milionë njerëzve të vaksinuar. Këto të dhëna i publikoi Ministria e Shëndetësisë si pjesë e një studimi për ta analizuar problemin e inflamacionit në zemër.

Shumica e pacientëve që përjetuan inflamacion të zemrës kaluan më shumë se katër ditë në spital dhe 95 për qind e rasteve u klasifikuan si të lehta, sipas studimit, për të cilin ministria tha se është kryer nga tri ekipe të ekspertëve.

Përmes një deklarate, Ministria e Shëndetësisë tha se ekziston një lidhje e mundshme mes marrjes së dozës së dytë të vaksinës së Pfizer-it dhe paraqitjes së myocarditis-it te meshkujt e moshës 16- deri në 30-vjeçare.

Prodhuesi i vaksinës tha se efektet anësore janë analizuar plotësisht dhe se kompania i plotëson kriteret e Departamentit për Sigurinë e Vaksinave të Ministrisë së Shëndetësisë në Izrael për rishikimin e të dhënave.

Muajin e kaluar, Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA rekomanduan studime më të thella rreth mundësisë që vaksinat me mRNA të kenë lidhje me myocarditis.

(Kosova Sot Online)