S’ka fonde, tribunali i OKB-së anulon gjykimin e ri për vrasjen e një kryeministri

  • E.K /
  • 03 June 2021 - 12:23
 S’ka fonde, tribunali i OKB-së anulon gjykimin e ri për vrasjen e një kryeministri

Gjykatësit e tribunalit të Kombeve të Bashkuara për Libanin e kanë anuluar nisjen e një gjykimi të ri për personin që më 2005 e kishte vrarë kryeministrin e atëhershëm të këtij shteti, Rafik Hariri, sepse ata presin që gjykata të mbesë pa buxhet dhe do të detyrohet të mbyllet para se procesi gjyqësor të përfundojë.

Vitin e kaluar, tribunali me seli në Hagë e dënoi në mungesë Salim Jamil Ayyash-in, ish-anëtar i lëvizjes Hezbollah, për shpërthimin në të cilin kishin mbetur të vdekur Hariri dhe 21 të tjerë. Ndaj këtij vendimi është paraqitur ankesë.

Rigjykimi ishte planifikuar të fillonte më 16 qershor, me qëllim të ndjekjes penale të të dënuarit edhe për një vrasje tjetër dhe sulme tjera ndaj politikanëve libanezë në vitet 2004 dhe 2005, shkruan Reuters.

Megjithatë, në vendimin e publikuar të enjten në uebfaqen e tribunalit, gjykatësit thanë se e kanë anuluar rastin për shkak se ka shumë gjasë që procedura të ndërpritet në korrik për shkak të mungesës së fondeve.

Sipas një raporti të agjencisë Reuters javën e kaluar, tribunali që 51 për qind të fondeve i siguron nga kontribuuesit vullnetarë dhe 49 për qind nga qeveria e Libanit, ka mbetur pa të holla.

Ndryshe, Libani është duke u përballur me krizë të shumëfishtë. Sipas Bankës Botërore, gjendja ekonomike në këtë shtet është një ndër më të rëndat në botë në kohën moderne.

Djali i kryeministrit të vrarë, Saad hariri, tani e ka marrë mandatin për formimin e qeverisë, por nuk e ka arritur këtë ende për shkak të mosmarrëveshjeve me presidentin Michel Aoun, duke e lënë vendin në bllokadë politike që nga viti i kaluar.

(Kosova Sot Online)