Komunat synojnë të mos regjistrojnë asnjë rast me COVID-19

  • A.P /
  • 07 June 2021 - 18:23
Komunat synojnë të mos regjistrojnë asnjë rast me COVID-19

Komuna të ndryshme në vend po synojnë që gjatë ditëve të ardhshme të ulin edhe më shumë numrin e rasteve aktive me COVID-19, e po ashtu të mos regjistrojnë më asnjë rast me të infektuar me këtë virusi.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili, ka thënë  se aktualisht kanë 5 raste aktive me COVID-19.

Ai është shprehur se po shpresojnë që brenda dy-tre ditëve të mos kenë asnjë rast aktiv me këtë virus.

“Aktualisht kemi 5 raste aktive. 2 raste janë të shtrira në spital dhe 5-6 mostra janë në pritje. Është një rënie e madhe e rasteve me COVID dhe po shpresojmë që brenda 2-3 ditëve të shënojmë zero raste”, ka deklaruar ai.

Xhemaili ka thënë se janë furnizuar edhe me teste rapide nga Ambasada e Amerikës, dhe se po vazhdojnë testimin e qytetarëve që kërkojnë të testohen.

Ndërsa, edhe drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, ka thënë se nëse vazhdon njëjtë gjendja me pandeminë, presin minimizim të rasteve të infektuara me COVID-19.

Ai ka thënë se momentalisht gjendja me pandeminë është e qetë dhe se ka rënie të madhe të rasteve aktive me COVID-19 në Pejë.

“Gjendja është e qetë dhe ka rënie drastike të rasteve aktive me COVID-19. Nëse vazhdohet me këtë trend javëve në vazhdim minimizim të rasteve, numri i qytetarëve po rritet që po vaksinohen në Kosovë po shtetet fqinje”, ka deklaruar ai.

Loci ka treguar se numri i pacientëve të hospitalizuar në Pejë për shkak të COVID-19 është 14.

Edhe Albion Sherifi, zyrtar për marrëdhënie me publikun në Komunën e Ferizajt ka thënë se numri i rasteve aktive me COVID-19 është në rënie.

Ai ka treguar se vetëm 1 pacientë i infektuar është i shtrirë në Spitalin e Ferizajt.

“Vetëm 1 pacientë është i shtruar në spitalin e Ferizajt. Gjendja është e menaxhueshme dhe stabile. Numrat janë në rënie, kjo si pasojë e menaxhimit e trendit të rënies së rasteve në gjithë vendin”, ka deklaruar ai.

Sherifi është shprehur se Shtabi Emergjent Komunal është në krye të detyrës dhe se po vazhdon ofrimi i shërbimeve gjatë pandemisë.

Numri i rasteve aktive me COVID-19 ka rënë edhe në Komunën e Prishtinës.

Në këtë komunë 59 raste janë aktive me këtë virus.

Përndryshe, me rënien e rasteve aktive me COVID-19 ka rënë edhe numri i të hospitalizuarve të infektuar me këtë virus.

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se sot në klinikat COVID të QKUK’së dhe spitalet rajonale janë të shtrirë 122 pacientë, 36 prej të cilëve të konfirmuar me COVID-19.

Në Klinikën Infektive janë të shtrirë 25 pacientë, në Klinikën e Pulmologjisë 60 pacientë, në Spitalin e Prizrenit 4 pacientë, në Spitalin e Gjakovës 4 pacientë, në Spitalin e Pejës 14 pacientë, në Spitalin e Gjilanit 4 pacientë, në Spitalin e Ferizajt 1 pacientë, në Spitalin e Mitrovicës 4 pacientë, në Spitalin e Vushtrrisë 6 pacientë.

(Kosova Sot Online)