Hoti kërkon nga Kurti që të raportojë nesër në Kuvend e më pas të niset për dialog

  • A.P /
  • 10 June 2021 - 19:37
Hoti kërkon nga Kurti që të raportojë nesër në Kuvend e më pas të niset për dialog

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi në Facebook, i ka sugjeruar kryeministrit të vendit Albin Kurti që nesër para deputetëve të raportoj për qasjen e tij në këtë proces të ri të dialogut Kosovë-Serbi, proces ky sic ka thënë Hoti është për marrëveshje përfundimtare e njohje të ndërsjelltë.

Ai tutje i ka listuar  pesë pika në të cilat duhet të fokusohet Kurti.

Kërkesa e Kryeministrit për diskutim në Kuvendin e Kosovës të premten lidhur me ecurinë e deritanishme të dialogut është shtruar gabimisht. Raporti i dorëzuar nga Qeveria për deputetët përmban listën e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut teknik të viteve 2011-2017.

Dialogu në Bruksel tanimë nuk është teknik, por është për marrëveshjen përfundimtare për njohje të ndërsjellë dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve fqinje.

Kryeministri të premten duhet të raportojë në Kuvend për qasjen e tij në këtë proces të ri dialogu:

1. për parimet mbi të cilat do të dialogohet (që në fakt paraqesin vijat e kuqe për palën kosovare),

2. për objektivat e dialogut (çfarë pritet të arrihet në fund të procesit),

3. për organizimin e palës kosovare në procesin e dialogut, për ekspertët dhe institucionet akademike që duhet përfshirë në dialog,

4. për mënyrën se si do të sigurohet transparenca dhe llogaridhënia gjatë procesit, përfshirë rolin mbikëqyrës të Kuvendit dhe qasjen në proces për shoqërinë civile dhe mediat,

5. për mënyrën si do të sigurohet mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces, koordinimi me ta për objektivat e dialogut dhe përfshirja e tyre në dinamikën e dialogut.

Çdo lloj raportimi që nuk fokusohet në këto pika është përsëritje se seancave të mëparshme të organizuara gjatë dialogut teknik.

Është tepër me rëndësi të kemi qëndrim të qartë nga Qeveria për këto çështje dhe të ndërtojmë konsensusin e nevojshëm politik dhe shoqërorë për të përmbyllur këtë proces tani kur është krijuar momentumi i nevojshëm dhe kur ekziston qëndrimi i qartë i partnerëve kyç në kuadër të BE-së dhe i SHBA-së.


(Kosova Sot Online)