Caktohet takimi i radhës për dialogun Kosovë-Serbi

  • G.G /
  • 15 June 2021 - 13:04
Caktohet takimi i radhës për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka njoftuar se takimi i radhës në mes të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, do të mbahet me datë 25 korrik.

Ai tha se ky takim është vendosur që të mbahet para pushimit të verës.

“Treguam qëndrimin tonë kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme. Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Albin Kurti pas takimit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuciq ka treguar katër propozimet që ka pasur pala kosovare.

Në Facebook, kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se në takim ka shprehur gatishmërinë për dialog që do të përfundonte me njohje të ndërsjelltë.

Kurti tutje ka treguar edhe katër kushtet që i ka Kosova për dialogun me Serbinë, megjithatë tha se të njejtat u refuzuan nga pala serbe.

Kryeministri i Kosovës shtoi se sot pasdite Borell do të takohet me presidentin amerikan, Joe Biden.

Postimi i plotë:

Në Bruksel, bashkë me zëvendësin tim Besnik Bislimi, e nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Borrell dhe emisarit të tij z. Lajçak, sot u takuam me delegacionin nga Serbia të përbërë nga z. Vuçiq dhe z. Selakoviq.

Treguam qëndrimin tonë kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme. Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik.

Nuk u pajtuam për agjendën e dialogut të ardhshëm. Unë bëra katër propozime në këtë takim:

1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.

2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.

3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.

Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve.

Sot pasdite z.Borrell takohet me Presidentin Biden.

https://www.facebook.com/albini2017/posts/1150196355480247

(Kosova Sot Online)