Rasti i parë në shtetin e BE-së: Ariu i kaftë mbyt një burrë

  • E.K /
  • 16 June 2021 - 09:35
 Rasti i parë në shtetin e BE-së: Ariu i kaftë mbyt një burrë

Një burrë 57 vjeç është mbytur nga një ari i kaftë në pjesën qendrore të Sllovakisë. Kompania shtetërore për menaxhimin e pyjeve tha se ky mund të jetë sulmi i parë vdekjeprurës i konfirmuar nga një ari i egër. Numri i këtyre kafshëve në Sllovaki është trefishuar në dy dekadat e fundit.

“Autopsia konfirmoi sot se burri nga Liptovska Luzna vdiq nga lëndimet e shkaktuara nga ky grabitqar”, tha përmes një postimi në Facebook kompania për menaxhimin e pyjeve.

Arinjtë janë mjaft të pranishëm në malet e Sllovakisë dhe numri i tyre ka shkuar në mbi 2.700 vitin e kaluar nga më pak se 900 sa ishin dy dekada më parë, tha kjo kompani, e cila ka bërë thirrje për gjah të ligjshëm me qëllim të kontrollimit të numrit të arinjve.

Ministria e Mjedisit e Sllovakisë tha se do të merren mostra të ADN-së së ariut për identifikimin e kafshës që e ka sulmuar burrin e ndjerë. Kjo ministri tha se vitin e kaluar janë regjistruar pesë sulme të arinjve ndaj njerëzve, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë fatal.

Një faqe e lajmeve raportoi se burri u zhduk pasi kishte dalë për të ecur në pyll afër fshatit Liptovska Luzna, në malet Tatras, shkruan The Guardian.

“E gjetëm të shtrirë në bark afër një shtegu. Ishte kafshuar në qafë, në bark e në brinjë”, deklaroi shoku i viktimës, Matej Bodor.

(Kosova Sot Online)