U dhunua në banesën që e mori me qira, turistes i dhurohen 7 milionë dollarë

  • E.K /
  • 16 June 2021 - 09:44
 U dhunua në banesën që e mori me qira, turistes i dhurohen 7 milionë dollarë

Kompania “Airbnb” ia ka dhënë 7 milionë dollarë dëmshpërblim një turisteje që u dhunua nën kërcënimin e thikës në një pronë që e kishte marrë me qira në Nju Jork.

Bloomberg raportoi se udhëtarja nga Australia e mori dëmshpërblimin pas sulmit që kishte ndodhur në natën e Vitit të Ri më 2015. Viktima dhe shoqet e saj i kishin marrë çelësat e banesës nga një dyqan i afërt po atë mbrëmje.

Në raport thuhet se i dyshuari i kishte shumëzuar çelësat e banesës, në të cilën kishte pasur qasje para sulmit, shkruan BBC.

Turistja ishte kthyer pas mesnatës në banesë, ndërsa i dyshuari, Junior Lee, raportohet se ishte fshehur në banjën e banesës.

Lee është ngarkuar me akuzën për sulm seksual. Ai është deklaruar i pafajshëm, por po vazhdon të qëndrojë në mbajtje.

Bloomberg raporton se si pjesë e marrëveshjes për dëmshpërblimin milionësh, viktima nuk mund ta fajësojë apo ta padisë më kompaninë “Airbnb” apo pronarin e banesës ku ndodhi rasti. Thuhet se marrëveshja u arrit dy vjet pas sulmit.

(Kosova Sot Online)