Një vizitë tjetër nga “Rrufeja” mund t’i çojë në paraburgim edhe drejtuesit tjerë të OVL-së

  • E.K /
  • 16 June 2021 - 09:53
 Një vizitë tjetër nga “Rrufeja” mund t’i çojë në paraburgim edhe drejtuesit tjerë të OVL-së

“Rrufeja” mund të çojë në paraburgim edhe drejtues tjerë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Sekretarit Faton Klinaku nuk ia kanë ndyshuar qëndrimin arrestimet e dy krerëve të OVL-së vitin e kaluar. Ai thotë se s’do ta fshehin asnjë dokument që mund t’ju shkojë në zyrat e organizatës.

Kanali i Suezit vazhdon të mbajë të bllokuar miliona dollarë produkte, të shumë kompanive evropiane

Sekretari i OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, i cili po e udhëheq organizatën e veteranëve në mungesë të dy krerëve të saj që nodhen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, ka thënë për Express se do t’i vë në dispozicion të mediave të gjitha materialet e Prokurorisë së Specializuar, të cilat mund t’i sjellë dikush në zyrat e organizatës.

Të shtunën, Klinaku e paralajmëroi këtë në Facebook, duke shprehur habi për, siç tha, amatorizmin e Prokurorisë së Specializuar.

“Për Prokurorinë e Specializuar në Hagë: Po habitem me amatorizmin tuaj – Ne as nuk kemi publikuar e as nuk publikojmë asgjë. Ne ua kemi ofruar mediave për publikim dhe do t’ua ofrojmë përsëri. Nuk do t’i mbajmë fshehur skandalet e juaja sepse nuk e kemi asnjë detyrim për këtë”, shkroi Klinaku.

Ai tha se u nxit ta shkruante këtë postim nga arsyetimi i Prokurorisë së Specializuar për t’i mbajtur edhe më tutje në paraburgim kryetarin e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucatin dhe nënkryetarin e kësaj organizate, Nasim Haradinajn. ZPS-ja, në kërkesat e tyre për t’i mbajtur Gucatin dhe Haradinajn në paraburgim, përmendin edhe deklaratat publike të tyre, kur ata shpreheshin se do t’ua ofronin mediave çdo material që ua sjell “Rrufeja”.

“Arsyeja specifike [e publikimit të statusit] është se ata [Prokuroria] në ankesë kanë thënë se nuk mund t’i lirojmë ata dy [Gucatin dhe Haradinajn] për shkak se ata kanë folur nëpër debate dhe kanë thënë se do t’i publikojmë dokumentet. Ata e dinë qëndrimin tonë. Ne s’kemi marrë dokumente, por kurdo që të na i sjellin, ne pësëri i nxjerrim”, tha Klinaku.

Në rast se do të posedonin dokumente tjera, Klinaku tha se do të vepronin njësoj sikur Gucati e Haradinaj, të cilën po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë pikërisht për shkak të kësaj çështjeje.

“Po normalisht. Ne as nuk i kemi publikuar, as nuk i publikojmë. Ne çdo gjë që vjen, vetëm ua paraqesim mediave për ta informuar publikun. Sepse s’ua mbajmë ne skandalet as gjykatës, as Prokurorirsë, as askujt. Ne vetëm e informojmë Prokurorinë përmes mediave. E pastaj është çështje e mediave a i publikojnë apo jo”, tha Klinaku.

“Dokumentet që u dalin atyre nuk ua ruaj unë, s’ua mbajë fshehtë. Sepse është më rrezik me ua mbajtë fshehtë, është më keq. Kështu që ne s’e kemi obligim me ua mbulu atyre skandalet”, theksoi sekretari i OVL-së.

Në tetor të vitit të kaluar, pak pasi me urdhër të Gjykatës Speciale ishin arrestuar në Prishtinë dy krerët e OVL-së së UÇK-së, Klinaku kishte thënë për Express se nuk brengoset nëse Specialja do të lëshojë urdhër edhe për arrestimin e tij.

“Nëse arrestohem unë, vazhdon punën tjetri”, ishte shprehur Klinaku.

Kështu, nëse do të ketë arrestime të tjera të drejtuesve të OVL-së së UÇK-së, duket se është çështje të cilën në masë të konsiderueshme e ka në dorë edhe “Rrufeja”, personi i maskuar i cili vitin e kaluar tri herë radhazi çoi dosje të Speciales në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për shkak se këto materialeve ua ofruan mediave në disa konferenca me radhë për shtyp, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj ishin arrestuar më 26 shtator të vitit të kaluar dhe ishin dërguar në paraburgim në Hagë. Ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

(Kosova Sot Online)