Policët ndalojnë stafin e restorantit pasi nuk iu dhanë hamburgerë falas

  • E.K /
  • 16 June 2021 - 12:16
 Policët ndalojnë stafin e restorantit pasi nuk iu dhanë hamburgerë falas

Një ekip i tërë punëtorësh në një restorant të ushqimit të shpejtë në Pakistan raportohet se është arrestuar fundjavën e kaluar pas refuzimit të kërkesës së policëve për hamburgerë falas, thuhet në deklaratën e restorantit.

Restoranti i ushqimit të shpejtë “Johnny & Jugnu” tha përmes një deklarate në Facebook se një grup policësh hyri në lokal javën e kaluar duke kërkuar ushqim falas. “Kjo është bërë praktikë e zakonshme për ta”, thuhet në shkrimin e restorantit, duke iu referuar policëve.

Kur kërkesa e zyrtarëve u refuzua, në deklaratën e restorantit thuhet: “Oficerët e policisë i kërcënuan menaxherët tanë dhe u larguan, por u kthyen të nesërmen që t’i frikësojnë e t’u bëjnë më tej presion ekipeve tona në terren me argumente të pabaza.”

Të premten, 19 anëtarë stafi dhe menaxherë u rrethuan dhe u mbajtën nga policia për gati shtatë orë, thuhet në deklaratën e restorantit. Më tej, në shkresën e restorantit thuhet se punëtorët u detyruan që të largohen nga kuzhina dhe të mos u shërbejnë as klientëve, ndërsa policia ka thënë se restoranti refuzoi që ta plotësonte kërkesën e një mysafiri të veçantë të profilit shumë të lartë.

Një zëdhënës i policisë lokale në Lahore tha se një oficer policie është arrestuar në lidhje me këtë rast dhe se autoritetet i kanë nisur hetimet, shkruan CNN. Sipas një njoftimi tjetër të policisë në Punjab, policët e përfshirë në incident janë pezulluar nga puna.

“Askujt nuk i lejohet që ta marrë ligjin në duart e veta. Padrejtësia nuk do të tolerohet. Të gjithë ata do të ndëshkohen”, thuhet në njoftimin e policisë, ndonëse nuk u përmend numri i policëve të përfshirë në rast.

(Kosova Sot Online)