Vaksina gjermane kundër Covid-19 tregon efikasitet shumë të ulët

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 13:07
 Vaksina gjermane kundër Covid-19 tregon efikasitet shumë të ulët

Kompania gjermane, CureVac, njoftoi të mërkurën se vaksina e saj kundër Covid-19 u tregua vetëm 47 për qind efektive në një fazë të vonshme të testimit, duke dështuar që ta arrijë qëllimin e studimit dhe duke e hedhur në dyshim shpërndarjen e qindra miliona dozave në Bashkimin Evropian.

Efikasiteti zhgënjyes i vaksinës së njohur si CVnCoV doli nga një analizë e brendshme e bazuar në 134 raste me Covid-19 në studimin me rreth 40 mijë vullnetarë në Evropë dhe në Amerikën Latine, shkruan The Guardian.

Gjasat për kompaninë CureVac dhe blerësit e mundshëm të vaksinës së saj në Evropë janë rritur pas vendosjes së kufizimeve të moshës ndaj vaksinave të kompanie “AstraZeneca” e “Johnson & Johnson” për shkak të një lidhjeje mes vaksinave dhe mpiksjes së gjakut.

Pritej që vaksina gjermane të ndihmonte në luftën kundër pandemisë edhe në shtetet me të ardhura të ulëta apo të mesme që kanë mbetur shumë larg vendeve të zhvilluara në procesin e vaksinimit.

Në nëntor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian kishte siguruar rreth 405 milionë doza të kësaj vaksine, prej të cilave 180 milionë janë opsionale. Ky vendim ishte pasur nga memorandumi i mirëkuptimit me Gjermaninë për 20 milionë doza tjera.

Pas publikimit të lajmit për efikasitetin e ulët të vaksinës, vlera e aksioneve të kompanisë CureVac në Shtetet e Bashkuara ra për 50.6 për qind.

(Kosova Sot Online)