Thellohet misteri i zhdukjes së biznesmenit nga Lipjani: A po dështon shteti në zbulimin e fatit të tij

  • G.G /
  • 23 June 2021 - 11:25
Thellohet misteri i zhdukjes së biznesmenit nga Lipjani: A po dështon shteti në zbulimin e fatit të tij

Gati po bëhen 3 muaj prej kur Bedri Rexhepi nga Lipjani është zhdukur dhe askush nuk di për fatin e tij. Familja e tij, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për ta gjetur Bedriun, madje për këtë ka ofruar edhe 20 mijë euro. Por a po dështon shteti në gjetjen e tij?

Ai u zhduk në rrethana misterioze mbrëmjen e 8 prillit, ndërkaq lidhur me zhdukjen e tij është arrestuar Jeton Vllasaliu, i cili po qëndron në paraburgim nën dyshimet se ka gisht në rrëmbimin e Bedriut.

Kur Rexhepi u raportua si i zhdukur më 8 prill të këtij viti, ai dyshohet se kishte me vete rreth 30 mijë euro para të gatshme, gjë që u konfirmua për Sinjalin edhe nga vëllai i tij Adnani, por i cili ka thënë se nuk kanë informacion se sa ishte shuma e tyre.

I riu nga Lipjani kishte në pronësi një biznes “Rent a Car” dhe dyshohet se motivi i rrëmbimit të tij ka të bëjë pikërisht me punën që bënte ai.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Që prej dy muajsh, biznesmeni Bedri Rexhepi nga qyteti i Lipjanit rezulton i zhdukur. Familja e tij ka vendosur shumën 20 mijë euro, si shpërblim për çdokënd që jep informacion, ose e gjen atë.

Me anë të një përgjigjeje me shkrim nga familja Rexhepi kanë thënë se, deri më tani, nuk kanë asnjë informatë. Ndërkohë kanë pohuar se një person është arrestuar nga polica si i dyshuar për këtë rast.

“Nuk kemi asnjë informatë, vetëm një person që është arrestuar dhe është në paraburgim, por nuk ka ndonjë informacion tjetër”, thuhet në përgjigjen e familjes.

Sipas tyre, “nuk është familjar, është një klient i vëllait që ka marrë vetura me qira”.

Ata shkruajnë se, për momentin, ky është i dyshuari i vetëm nga Prokuroria.

Familja Rexhepi, për AP-në, bëjnë me dije se “ai për herë të fundit është larguar nga shtëpia në muajin prill, e kemi provuar në telefon, tani na ka konfirmuar policia se është gjet vetura në një fshat”.

Bedri Rexhepi, i zhdukur që nga data 8 prill, nuk është gjendur ende.

Ai është zhdukur në rrethana të panjohura, derisa ende nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Ndërkohë, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tha për AP se ende nuk ka informata lidhur me rastin dhe se bashkë me Policinë e Kosovës janë duke punuar intensivisht në gjetjen e të zhdukurit.

(Kosova Sot Online)