Nga sot gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët mund të aplikojnë për vaksinim

  • E.K /
  • 01 July 2021 - 08:54
 Nga sot gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët mund të aplikojnë për vaksinim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës- AGK, njofton të gjithë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët se që nga sot do të mund të aplikojnë për imunizim me vaksinat kundër COVID 19.

Sipas njoftimit, kjo është arritur pas kontakteve të shpeshta të AGK-së me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Komiteti respektiv ka marr vendim për përfshirje te Gazetareve me prioritet për imunizim! Me siguri qe nga neser edhe platforma e – Kosova do e mundësoj versionin me këtë ndryshim, dhe do njoftoheni sapo te jete bere përditësimi i ndryshimit ne platformën e cekur”, thuhet në njoftimin e djeshëm të ministrisë për AGK-në.

“AGK-ja e sheh si tejet të rëndësishëm këtë vendim pasi që gazetarët kanë kontribuuar në vazhdimësi gjatë pandemisë, si me informim të drejtë, ashtu edhe në parandalimin e shpërndarjes së dezinformatave.

E tërë veprimtaria e tyre është shtrirë në vijën e parë të frontit, së bashku me punonjësit e tjerë esencial. Kanë raportuar nga vatrat e infeksionit që para shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, kanë mbuluar ngjarjet politike dhe sociale gjithashtu, në mënyrën më profesionale të mundshme, në ndërkohë që janë përballur me një të panjohur për të gjithë ne”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

(Kosova Sot Online)