Zyrtari i MD-së: Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme do të jetë gati në vjeshtë

  • A.P /
  • 06 July 2021 - 17:54
Zyrtari i MD-së: Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme do të jetë gati në vjeshtë

Genc Nimoni shefi i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se është duke u punuar intensivisht në projektligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme të zyrtarëve publikë. Ai ka thënë se tani është punuar edhe drafti i parë i këtij projektligji.

“Është formuar grupi punues dhe është duke u punuar për këtë projektligj. Ne tashmë e kemi draftin e parë dhe është veç draft i parë. Nuk e di nëse u është dërguar ende anëtarëve të Këshillit të gjerë por do t’u dërgohet shumë shpejt”, ka thënë ai.

Më tutje ai deklaroi se është paraparë që ky ligj të përfundojë në dhjetor të këtij vitit.

Por, Nimoni pohoi se ky hartimi i këtij ligji do të përfundojë edhe më herët se muaji dhjetor.

“Parashihet një transparencë dhe një përfshirje që ligji të dalë sa më i kompletuar. Ky projektligj do të jetë gati në vjeshtë edhe pse është paraparë që të përfundojë në muajin dhjetor të këtij viti”, ka thënë Nimoni.

Zyrtari i MD-së, theksoi se ky ligj është prioritet i ministrisë dhe se është shumë i rëndësishëm për qytetarët.

“Vërtetë jemi duke punuar intensivisht dhe mendoj që është një ligj shumë i rëndësishëm. Ky ligj do ta godas pasurinë e paligjshme. Është për zyrtarët publik dhe jo për qytetarët. Ligji aktual është nga vitit 2021. Tani do ta bëjmë nga vitit 2005. Nëse caktohet nga vitit 2005 e tutje do të konfiskohet pasuria e paligjshme që mund të jetë përfituar gjatë këtyre viteve”, deklaroi ai. 

(Kosova Sot Online)