Duda Balje për gazetën boshnjake “Avaz”: Miratimi i rezolutës së sotme, moment i rëndësishëm për mua

  • G.G /
  • 07 korrik 2021 - 13:16
Duda Balje për gazetën boshnjake “Avaz”: Miratimi i rezolutës së sotme, moment i rëndësishëm për mua

Duda Balje, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Parlamentin e Kosovës, i tha gasetës më të madhe në Bosnje, “Avaz” se Rezoluta mbi dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, e cila u miratua me 89 vota, përbën një moment të veçantë për të.

Balje tha se me këtë Rezolutë, Kosova ka treguar se e pranon publikisht që gjenocidi ka ndodhur në Srebrenicë.

“Për mua si një boshnjake nga Kosova, ky është moment veçanërisht i rëndësishëm, në të cilin ne si shtet kemi treguar gatishmëri dhe pjekuri për ta pranuar të vërtetën, duke pasur parasysh që gjëra të ngjashme kanë ndodhur në Kosovë”, tha Balje.

Në prag të 26 vjetorit të gjenocidit të kryer kundër boshnjakëve në Srebrenicë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, me sugjerim të komunitetit boshnjak që jeton në Kosovë, votuan mbi propozimin për ta miratuar rezolutën që e dënon këtë gjenocid.

Rezoluta është edhe një akt solidariteti me vuajtjet e boshnjakëve nga Bosnja e Hercegovina.

Teksa po diskutohej për këtë rezolutë, përfaqësuesit e Listës Serbe u larguan nga seanca para votimit.

(Kosova Sot Online)