Shefi i Zyrës së BE-së: Institucionet të sigurojnë të drejtën e kthimit për Dragica Gashiqin në Gjakovë

  • G.G /
  • 08 July 2021 - 14:20
Shefi i Zyrës së BE-së: Institucionet të sigurojnë të drejtën e kthimit për Dragica Gashiqin në Gjakovë

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se janë duke e monitoruar nga afër çështjen e kthimit të serbes Dragica Gashiq në Gjakovë. Ambasadori i BE-së ka bërë thirrje që institucionet kompetente të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore përfshirë kthimin e qytetarëve në vendin e tyre të origjinës.

“Ne jemi duke ndjekur nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me gruan serbe nga Kosova, si e kthyera e parë në Gjakovë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse dhe u bëjmë thirrje atyre që të veprojnë në përputhje me legjislacionin përkatës dhe të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore të të gjithë qytetarëve, përfshirë kthimin në vendin e tyre të origjinës”, ka thënë Szunyog për KosovoOnline.

Gashiq u bë kështu gruaja e parë serbe që u kthye në Gjakovë pas luftës të vitit 1999.

Dragica Gashiq thotë se është e padëshirueshme në Gjakovë dhe se për çdo ditë ka pasur sulme, prandaj policia e shoqëronte kudo, madje edhe kur shkonte në dyqan.

Familjarët e personave të pagjetur në gjatë një tubimi në Prishtinë më 30 gusht 2018, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Për shkak të kësaj, ajo vendosi të zëvendësonte derën e banesës me një të blinduar dhe dëshironte që të vendoste hekura mbi të, por një gjë e tillë nuk iu lejua.

Gashiq kishte planifikuar që të kthehej në Gjakovë, por tani procesi gjyqësor ia ka komplikuar planet.

Ajo pretendon se e ka të gjithë dokumentacionin që vërteton se është pronare e banesës.

Dyshohet se Dragica Gashiq është e padëshirueshme në Gjakovë për shkak se në kohën para luftës ka punuar në policinë serbe. Por, ajo ka theksuar se nuk i ka bërë keq askujt dhe se në polici ka punuar vetëm si pastruese.

Kthimi i saj kishte nxitur reagime brenda kësaj komune.

Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e nënave” nga Gjakova kishte deklaruar për REL-in se familjarët e personave të pagjetur nuk e miratojnë kthimin e Gashiqit në Gjakovë.

Në Gjakovë, gjatë luftës në vitet 1998 dhe 1999 janë vrarë më shumë se 1.000 civilë shqiptarë, shumica e tyre meshkuj. Disa prej tyre edhe më tej janë persona të pagjetur

Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohet “anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme”, për Dragica Gashiq, e cila në fillim të qershorit të këtij viti, u bë serbja e parë që u kthye për të jetuar në këtë komunë.

(Kosova Sot Online)