Kalifornia goditet nga tërmeti prej 6.0 shkallësh, gurë të mëdhenj në rrugë

  • G.G /
  • 09 July 2021 - 13:45
Kalifornia goditet nga tërmeti prej 6.0 shkallësh, gurë të mëdhenj në rrugë

Një tërmet i fuqishëm e goditi pjesën lindore të Kalifornisë të enjten pasdite, duke bërë që banorët lokalë të vërejnë lëkundje dhe gurë të mëdhenj të shemben e të bien në rrugë.

Tërmeti u raportua në orën 15 e 49 minuta të së enjtes sipas kohës lokale. Epiqendra e dridhjes besohet se ishte në perëndim të qytezës Walker, ku jetojnë më pak se 1.000 njerëz, shkruan Los Angeles Times.

Një segment i rrugës “US 395” u mbyll pas raportimeve për rënie të gurëve në rajonin Mono. Komandanti i zjarrfikësve lokal tha se nuk ka raportime për dëme serioze të infrastrukturës.

Një punëtore dyqani tha se produktet në frigorifer u rrëzuan. “Kjo gjë u drodh sikur të ishte duke lëvizur në autostradë. Gjithçka u thye”, tha ajo.

Shumë njerëz në rrjete sociale diskutuan jo vetëm për tërmetin, por edhe për faktin se sa rrallë ka dridhje të tilla në Sacramento, qytet ku banorët e vlerësojnë veten si më pak të rrezikuar se vendet tjera si San Francisco e Los Angeles.

Sipas të dhënave të fundit, mesatarisht pesë tërmete me fuqi 5.0 deri 6.0 shkallë të Rihterit ndodhin në vit në Kaliforni dhe Nevada.

(Kosova Sot Online)