ShBA-ja aktakuzë ndaj 4 pjesëtarëve të inteligjencës iraniane, po planifikonin rrëmbim të gazetares

  • G.G /
  • 14 July 2021 - 10:48
ShBA-ja aktakuzë ndaj 4 pjesëtarëve të inteligjencës iraniane, po planifikonin rrëmbim të gazetares

Katër iranianë janë akuzuar në Nju Jork për planifikim të rrëmbimit të një gazetareje që banon në Shtetet e Bashkuara, e cila ka shkruar rreth abuzimin e të drejtave të njeriut nga qeveria iranine, njoftoi të martën Departamenti i Drejtësisë.

Të dyshuarit janë një zyrtar i inteligjencës iraniane dhe tre anëtarë të dyshuar të një rrjeti iranian të inteligjencës, të cilët pretendohet se e kishin planifikuar rrëmbimin e një gazetareje me përkrahjen e qeverisë iraniane, shkruan Free Europe.

Departamenti i Drejtësisë e identifikoi gazetaren vetëm si qytetare amerikane që banon në Brooklyn, e cila përshkruhet gjithashtu edhe si aktiviste për të drejtat e njeriut. Por Masih Alinejad, konfirmoi se autoritetet amerikane i kanë thënë se ka qenë në mesin e viktimave të shënjestruara dhe se bëhet fjalë për të në aktakuzë.

Alinejad ka kontribuar në Zërin e Amerikës në gjuhën perse, medium i financuar nga qeveria amerikane, dhe ka raportuar për çështjet e të drejtave të njeriut në Iran.

“Jam mirënjohëse ndaj FBI-së për zbulimin e komplotit të Ministrisë së Inteligjencës së Republikës Islamike të Iranit për të më rrëmbyer mua. Ky komplot është orkestruar nën pushtetin e (ish-presidentit iranian) Rohanit”, shkroi gazetarja në Twitter.

Në aktakuzë thuhet se personat e akuzuar për organizim të rrëmbimit janë Alireza Shavaroghi Farahani, i njohur edhe si Vezerat Salimi, Haj Ali, Mahmoud Khazei, Kiya Sadeghi dhe Moid Noori, të gjithë nga Irani. Sipas aktakuzës, Farahani është zyrtar i inteligjencës iraniane, ndërsa tre të tjerë “asete” të inteligjencës së këtij shteti.

(Kosova Sot Online)