Abazoviç flet pas takimit me Bashën: Të mos merremi me punë koti, të ulim tensionet

  • A.P /
  • 16 July 2021 - 18:51
Abazoviç flet pas takimit me Bashën: Të mos merremi me punë koti, të ulim tensionet

Pasi priti në selinë blu zv/kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se kanë diskutuar në lidhje me demokracinë, politikat rajonale dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Basha e cilësoi Abazoviç një etalon të guximit për të vënë politikën në shërbim të qytetarëve.


“Sot kam një kënaqësi unike të pres zv/kryeministrit të parë shqiptar të fqinjit tonë. Karriera e tij ka një përvojë të gjatë studiuesi dhe përpiluesi të tezave politike për Ballkanin dhe Europën. Është një kënaqësi e veçantë sepse interesi i PD dhe i imi për fqinjin dhe bashkëkombasit tanë atje ka qenë dhe mbetet permanent.
Zbulova se përkushtimi i Abazovic bën diferencën. Temat tona të diskutimit kanë variuar nga demokracia, politikat rajonale, zhvillimi ekonomik i vendeve. Ndaj dua t’i uroj edhe personalisht në këtë vizitë sukses në misionin e tij sfidues si një etalon i guximit për të vënë politikën në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Basha.

Ndërsa Abazoviç deklaroi se duhet të merremi me gjëra konkrete dhe jo punë koti, duke ulur tensionet për të punuar për të mirën e të dy vendeve.

“Në fillim ju përshëndes të gjithëve dhe tregoj një kënaqësi të jashtëzakonshme në emër të qeverisë së Malit të Zi por edhe në emër personal të Lulzim Basha. Unë sot kam ardhur në vizitë zyrtare në Tiranë dhe jam shumë krenar që jam zyrtari i parë i qeverisë së re që vij në vizitë zyrtare. Kam pasur dëshirë të takoj çdo subjekt politik që ka të bëjë me atë çka duhet të jetë ndryshimi i Shqipërisë në të ardhmen dhe lideri i opozitës sot më ka mirëpritur në selinë e partisë Demokratike. Ne kemi biseduar gjëra konkrete, sfida të cilat janë pak a shumë në  të gjitha shtetet e Ballkanit.

Të gjithë së bashku që merremi me politikë duhet me shkuar në drejtim të ndryshimeve duke iu përshtatur normave europiane. Besoj se koha është për një frymë të re europiane në të gjitha trevat tona. Jemi dakortuese me Malin e Zi dhe deri më tani çdo gjë ka funksionuar në mënyrë të mirëfilltë dhe shumë paqësore, vllazërore. Jam shumë i kënaqur që sot vizitova të gjitha subjektet politike dhe këtu përfundohet vizita ime për sa i përket Tiranës.  Unë e kam ftuar zotin Basha, kryeministrin presidentin Meta pasi çdokush është i mirëpritur në Malin e Zi. Të ulim tensionet dhe të gjithë së bashku të punojmë në të mirën e dy popujve”- u shpreh ai.


(Kosova Sot Online)