Ministrja Haxhiu: Gjatë dy javëve të fundit Kosova ka realizuar gjashtë ekstradime me shtetet evropiane

  • G.G /
  • 17 July 2021 - 10:34
Ministrja Haxhiu: Gjatë dy javëve të fundit Kosova ka realizuar gjashtë ekstradime me shtetet evropiane

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë dy javëve të fundit Kosova ka realizuar gjashtë ekstradime me shtetet evropiane për personat e kërkuar për vepra penale.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka thënë se ekstradimet janë realizuar me Francën, Zvicrën, Gjermaninë, Italinë dhe Belgjikën.

“Gjatë dy javëve të fundit janë realizuar gjashtë ekstradime me Francën, Zvicrën, Gjermaninë, Italinë dhe Belgjikën. Përmes realizimit të këtyre ekstradimeve, personat e kërkuar për vepra penale do të ballafaqohen me procedurë penale ose do të vuajnë dënimin e shqiptuar nga autoritetet gjyqësore”, ka thënë ajo.

Haxhiu poashtu është shprehur se në mbledhjen e fundit të qeverisë është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale.

“Për më shumë, të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale. Me ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji do të ketë ekstradime më të shpejta duke ngërthyer gjithmonë standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, ka thënë ministrja Haxhiu.

https://www.facebook.com/hapeporten/posts/5698065106930900

(Kosova Sot Online)