Policia kroate: Identiteti i të gjitha viktimave është zbuluar, shoferi është dërguar në burgun e Pozhegës

  • E.K /
  • 28 July 2021 - 10:04
 Policia kroate: Identiteti i të gjitha viktimave është zbuluar, shoferi është dërguar në burgun e Pozhegës

Policia kroate ka dal me disa informacione të reja në lidhje me aksidentin tragjik në Slavonski Brod, ku vdiqën 10 persona dhe u lënduan mbi 40 të tjerë.

Sipas policisë, shoferi i autobusit është dërguar në burgun e Pozhegës dhe identiteti i të gjitha viktimave është zbuluar.

“”Dje (27 korrik), gjyqtari hetues mori në pyetje 52-vjeçarin dhe më pas atij iu caktua një muaj paraburgim. Në të njëjtën ditë, i pandehuri është dërguar në burgun e Pozhegës. Është e rëndësishme të theksohet se identitetet e dhjetë viktimave janë vërtetuar”, thuhet në njoftimin e policisë, shkruan portal kroat Index.Hr.

Ndryshe, trupat e viktimave që vdiqën në aksidentin tragjik në Kroaci, pritet që të arrijnë në Kosovë sot rreth orës 12:00.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga kompania e funeraleve që po e kryen transportin.

Në vendkalimin kufitar në Vërmicë ka qëndruar gazetarja Ardita Rashiti, e cila ka biseduar me një mërgimtar, i cili ka dal atje për t’i nderuar viktimat.

Mërgimtari Mentor Zekolli ka thënë se kjo ngjarje është shumë e rëndë për ta, derisa i ka lutur shoferët që të kenë shumë kujdes gjatë vozitjes.

“Jam vetë gurbetqar e di dhimbjen se kur i ndodh dicka familjes. Pata dëshirë të jem këtu. Një ngjarje e tillë është shumë e randë për neve gurbetqarëve. E dijmë dhimbjen shumë. Një rast shumë tragjik për neve shqiptarëve kudo që janë, dhe i kisha lut shoferat që të kenë shumë kujdes”, ka thënë Zekolli.

Përveç Zekollit, në këtë vendkalim kufitar janë grumbulluar edhe qytetarë të tjerë, të cilët kanë dashur t’i nderojnë viktimat e këtij aksidenti.

Ndryshe, dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën, kur autobusi me të cilin udhëtonin – nga Frankfurti për në Prishtinë – doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.

Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.

Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit.

Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre.

(Kosova Sot Online)