Bekim Haxhiu kërkon nga Konjufca që t’i largojë nga seanca deputetët e ministrat që nuk mbajnë maska

  • E.K /
  • 02 August 2021 - 12:02
 Bekim Haxhiu kërkon nga Konjufca që t’i largojë nga seanca deputetët e ministrat që nuk mbajnë maska

Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu ka kërkuar nga kryeparlamentari, Glauk Konjufca që të largoj nga seanca e Kuvendit të Kosovës deputetët e ministrat të cilët nuk po mbajnë maskë.

Ai ka thënë se varianti Delta i COVID-19 është prezent në vend, andaj edhe sipas tij, është mirë që të mbrohen të gjithë.

“Fillimisht një këshill për juve, edhe deputetët edhe ministrat që nuk i mbajnë maskat është mirë me i largu prej seance, në veçanti në këtë kohë kur varianti… Po e di që nuk po jo pëlqen disave por ne jemi të gjithë deputetë kemi kontakte me qytetarë, varianti Delta është prezent dhe është mirë të mbrohemi të gjithë”, ka thënë ai.

Megjithatë, kërkesën e Haxhiut nuk e kanë mbështetur disa deputetë të cilët kanë filluar të flasin e të qeshin.

Kujtojmë që së fundmi është rritur numri i rasteve të reja të infektuara me COVID-19.

Shumë nga të infektuarit janë me variantin Delta të COVID-19.

Ndërsa, me këtë virus janë infektuar edhe disa qytetarë që kanë qenë të vaksinuar.

(Kosova Sot Online)