Nuk ka shkelur aty prej sulmeve të 11 shtatorit, vëllai i Bin Laden nxjerr në shitje shtëpinë në Los Anxhelos

  • A.P /
  • 02 August 2021 - 18:12
Nuk ka shkelur aty prej sulmeve të 11 shtatorit, vëllai i Bin Laden nxjerr në shitje shtëpinë në Los Anxhelos

Vëllai i Osama bin Laden, Ibrahim bin Laden, ka nxjerrë në shitje vilën e tij në Bel Air të Los Anxhelosit, për 28 milionë dollarë.

“New York Post” shkruan se Ibrahim, i cili është vëllai i madh i terroristit të vrarë, e kishte në pronësi vilën që prej vitit 1983. Në atë kohë ai ka paguar 1 653 000 dollarë për pronën, shifër që shkon në rreth 5,5 milionë nëse përshtatet me inflacionin e 38 viteve më pas.

Sipas gazetës amerikane, ai nuk ka shkelur më atje që prej sulmeve të 11 shtatorit 2001, por shuma me të cilën është nxjerrë në shitje është përllogaritur mbi bazën e vlerës së tokës dhe pronës në përgjithësi.

E vendosur në një prej lagjeve më në zë të qytetit, rezidenca vetë zë një sipërfaqe prej 660 metrash katrorë, ndërsa e gjithë prona ka një sipërfaqe prej 8000 metrash katrorë. Vila luksoze ka 7 dhoma dhe 5 tualete. E ndërtuar në vitin 1931, vila duket që ka nevojë për investime të mëdha për t’i rikthyer shkëlqimin e dikurshëm.


(Kosova Sot Online)