“Kemi 18 muaj pa i parë”, lot dhe buzëqeshje në aeroporte pas ndryshimet të rregullave

  • E.K /
  • 03 August 2021 - 08:26
 “Kemi 18 muaj pa i parë”, lot dhe buzëqeshje në aeroporte pas ndryshimet të rregullave

Zhurma e munguar iu rikthehet aeroporteve britanike. Familjet dhe miqtë u mbushën me gëzim dhe lot në Heathrow të Londrës, pasi ndryshimi i rregullave të udhëtimit u mundësoi ribashkimin pas 18 muajve ndarje nga pandemia.

“Djali ynë dhe nusja po udhëtojnë nga Nju Jorku pas ndryshimit të rregullave. Kemi 18 muaj pa i parë”, shprehet Michael Blake, banor i Londrës.

Emocionet ishin të mëdha edhe për ata persona që zbritën të parët në aeroportet e Anglisë. Duke parë këto skena emocionale, drejtuesit e aeroporteve i bëjnë thirrje qeverisë Britanike që t’i heqë pengesat në udhëtime dhe jo t’i shtojnë ato, mes spekulimeve se mund të vendosen rregulla të reja.

Britania rihapi kufijtë për pjesën më të madhe të botës këtë të hënë, duke hequr detyrimin e karantinës për personat e vaksinuar plotësisht nga Bashkimi Europian, përjashtuar Francën, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa i përket Shqipërisë, nuk ka ndryshuar asgjë në rregullat e udhëtimeve drejt këtij shteti.

Nëse një person ka qëndruar në vendin tonë dhe kërkon të shkojë në Britani, do t’i nënshtrohet një karantine të detyruar për 10 ditë, ku në ditën e parë dhe të tetë duhet të bëjë teste për Covid-19. Gjithashtu para se një udhëtar të niset nga Shqipëria drejt Britanisë duhet të ketë me vete rezultatin e një testi negativ për koronavirus.

(Kosova Sot Online)