Merret një vendim për kosovarin që dyshohet se vrau të dashurin e ish-gruas në Belgjikë

  • A.P /
  • 03 August 2021 - 16:58
Merret një vendim për kosovarin që dyshohet se vrau të dashurin e ish-gruas në Belgjikë

Dhoma e Këshillit në Antwerp i ka zgjatur për herë të dytë masën e paraburgimit 48-vjeçarit nga Kosova, që dyshohet se vrau të dashurin e ish-gruas në Belgjikë. Ai dyshohet se theri për vdekje bashkëvendasin e tij në sy të fëmijëve. Informacione të tjera rreth këtij rasti kanë dhënë nga Prokuroria e Belgjikës.

Belgjika u trondit nga një vrasje që ndodhi në qershor të këtij viti, pranë një shkolle në Waterbaan. Kosovari Betim A. theri për vdekje të dashurin e ish-gruas së tij, i cili poashtu ishte me prejardhje nga Kosova.

Viktima ndodhej atje, meqenëse kishte shkuar t’i merrte nga shkolla fëmijët e së dashurës, por që i kishte dalë në pritë dorasi.

48-vjeçari e kishte therur 13 herë me thikë 52-vjeçarin dhe pastaj kishte tentuar të ik nga vendngjarja.

Mediat publikuan edhe fotografi të tij pas aktit, ku i njëjti shihej me një thikë në dorë dhe me duart e mbuluara me gjak.

E tash kur kanë kaluar rreth dy muaj nga ngjarja tragjike, informacione për rrjedhën e rastit kanë dhënë nga Prokuroria e Belgjikës.

Kristof Aerts nga ky institucion i ka thënë  se të dyshuarit për vrasje i është vazhduar masa e paraburgimit.

Për detaje të tjera rreth rastit s’kanë pranuar të flasin, meqenëse thonë se hetimi po vazhdon. Por, deklarojnë se i dyshuari s’është i panjohur për organet e drejtësisë.

“Dje, Dhoma e Këshillit në Antwerp ia zgjati paraburgimin z.Betim për herë të dytë. Në këtë kohë, hetimi po vazhdon dhe nuk mund të publikohen hollësi. Siç është thënë më parë, zotëria nuk është i panjohur për gjykatat”, thuhet në përgjigjet e Aerts.

Ndryshe, në media ishin publikuar edhe deklaratat e dëshmitarëve të ngjarjes.

“Me gjakun që i pikonte nga duart, ai qetësisht kaloi aty pranë. Nuk u shqetësua dhe vazhdoi të ecte”, tha një dëshmitar. “Ai ishte i veshur zi, me syze dielli të zeza dhe ishte tullac”.

“Pamë dy fëmijë që bërtisnin me zë shumë të lartë, derisa autori po e therte dikë me diçka që dukej si një thikë e madhe. Dukej sikur ishim në një film horror” tregoi një tjetër qytetar.

Këto deklarata i kishte përmendur edhe prokuroria, në një përgjigje që kishte dhënë një ditë pas ngjarjes.

“Dëshmitarët më pas e panë të dyshuarin duke u larguar në drejtim të Herentalsebaan-it. Policia shkoi shpejt dhe arriti që ta arrestonte burrin në të dyzetat në Van Havrelei, pa ndonjë problem. Kalimtarët e rastit ia dhanë ndihmën e parë viktimës. Pas kësaj, kontrollin e mori stafi mjekësor. Për fat të keq, nuk kishte ndihmë të mëtejme për viktimën. Ekspertët e forenzikës që erdhën në vendin e ngjarjes për hetime numëruan 13 lëndime nga thika dhe therjet”, kishte deklaruar prokuroria.

(Kosova Sot Online)