Avokati i Rexhep Selimit 'shpërthen' ndaj gjykatësit francez që ia refuzoi lirimin

  • G.G /
  • 05 August 2021 - 13:04
Avokati i Rexhep Selimit 'shpërthen' ndaj gjykatësit francez që ia refuzoi lirimin

Avokati i Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale, David Young, ka dërguar tek Paneli apelin e tij në lidhje me vendimin e gjykatësit francez të procedurës paraprake i cili ia refuzoi kërkesën për lirim nga paraburgimi.

Në parashtresat(ankesat) e avokatit të Selimit, përmendet garancia e dhënë nga drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti për lirimin nga paraburgimi të klientit të tij.

Young akuzon ashpër gjyqtarin paraprak, Nicollas Guillou, për vendimin e tij në favor të Prokurorisë së Specializuar, duke thënë se ai po spekulon dhe po abuzon me pozicionin e gjykimit.

“Së fundi, qëndrimi i ZPS -së në lidhje me garancitë e dhëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, dhe gjetja e Panelit të Apelit në të njëjtën gjë, lidhet në mënyrë të ngjashme me kushtet e propozuara në kohën e Vendimit të Ankesave të Lirimit të Përkohshëm. Siç thuhet në Apel, sigurimi i Drejtorit të Përgjithshëm u dha si pjesë e ftesës specifike për t’u angazhuar drejtpërdrejt me Drejtorin e Policisë, nëse kërkohej ndonjë sqarim ose informacion i mëtejshëm mbi masat shtesë të propozuara të Mbrojtjes së Selimit. Gjyqtari i Procedurës Paraprake, duke hedhur poshtë këto garanci bazuar në spekulimet e tij në lidhje me praktikat e kushteve të propozuara shtesë, dhe pa treguar gatishmëri për t’u angazhuar me Drejtorin e Përgjithshëm, vendosi në një mënyrë aq të padrejtë dhe të paarsyeshme saqë përbën një abuzim të gjykimit”, ka thënë Young në parashtresat e tij.

Tutje, mbrojtja e Selimit thotë se është vet paneli i Apelit ai që ka gjetur mangësi të mëdha në arsyetimet që ka dhënë gjyqtari paraprak në vendimin për paraburgimin në janar të këtij viti.

Në parashtresa thuhet se arsyet e mangëta për refuzimin e paraburgimit të cilat po paraqiten secilën herë kur ka kërkesë, po e minojnë të drejtën e mbrojtjes për të apeluar kërkesën e kundërshtuar.

Madje, mbrojtja tutje thotë se me këto veprime, gjyqtari francez i Procedurës Paraprake po lë një kuptim të errët në formën se sip o i ushtron kompetencat e tij.

“Së pari, Përgjigja injoron çështjen themelore të kësaj baze apeli; se mangësia e vazhdueshme dhe e përsëritur e arsyetimit minon të drejtën e Mbrojtjes për të apeluar Vendimin e kundërshtuar. Ashtu siç u pranua nga SPO në Përgjigjen e saj, Paneli i Apelit ra dakord, që Vendimi i Paraburgimit i Janarit 2021 vuante nga një mangësi arsyetimi. Kritika nga Kolegji i Apelit nuk u kufizua në gjetjet e tij të përgjithshme mbi “Detyrën për të dhënë Opinion të Arsyetuar”, siç nënkuptohet në Përgjigje, por në fakt iu referua disa dështimeve specifike nga ana e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake. Të kundërshtuarit e Vendimit  jo vetëm që nuk i kuron këto defekte, por i përsërit dhe i shton ato, duke siguruar që jurisprudenca që po zhvillohet dhe do të vazhdojë të zhvillohet, të lërë një kuptim të errët të mënyrës sesi Gjyqtari i Procedurës Paraprake ushtron kompetencat e tij diskrecionale”, thuhet në parashtresat e avokatit të Selimit.

Mbrojtja tutje nënvizon faktin se Apeli ka kërkuar nga Gjyqtari Paraprak dhe Prokuroria të arsyetojë më gjerësisht argumentet e propozuara në rastet kontestuese.

Ndryshe, Gjykata Speciale ua ka refuzuar lirimin nga paraburgimi krerëve të UÇK-së./lajminet

Madje, në vendimin për ish-presidentin Thaçi, gjykatësi paraprak ka injoruar garancitë e dy shteteve për lirimin nga paraburgimi.

(Kosova Sot Online)