Kryeprokurori Lumezi flet për audio-incizimin ku përmendet edhe emri i tij

  • A.P /
  • 05 August 2021 - 21:53
Kryeprokurori Lumezi flet për audio-incizimin ku përmendet edhe emri i tij

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thyer heshtjen në lidhje me audio-incizimet e fundit, që kanë dalë në media ku përmendet edhe emri i tij.

Kryeredaktori i portalit ku po publikohen disa audio-incizime, Lirim Mehmetaj, në të cilat janë përfshirë prokurorë e gjyqtarë, madje edhe kryeprokurori, ka thënë se deri më tani prokuroria nuk ka kërkuar audio materialet për hetime.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në një lidhje telefonike ka folur për këto pretendime.

“Ne nuk kemi dalë me një prononcim publik për këtë temë, por prokuroria ka filluar hetimet për këtë temë, për të vërtetuar nëse këto përgjime janë të ligjshme apo jo. Sipas informatave të deritanishme që unë kam, përgjimet në fjalë nuk kanë qenë të autorizuara”, tha ai.

Lumezi thotë se personi që ka kryer përgjimet, nuk i ka dorëzuar ato në Prokurori.

I pyetur për lakimin e emrit të tij, Kryeprokurori thotë se nuk ka çfarë të flasë.

“Unë nuk e kam takuar atë person. Ai ka bërë presione dhe ndikime te disa persona për të arritur deri të unë”.

Lumezi thotë se prokurorja e etiketuar nuk e ka njohur personin me të cilin ka kontaktuar.

Kryeprokurori nuk e mohon se ka kontaktuar me personin në fjalë, por sipas tij ai ka tentuar të arrije te Kryeprokurori.

“Personi në fjalë ka tentuar përmes mashtrimeve të vijë deri të Kryeprokurori i Shtetit me arsyetimin se ka dokumente”.

Lumezi thotë se ka raste kur kontakton me njerëz të panjohur për shkak të punës që ka.

(Kosova Sot Online)