Rusia “ua tregon dhëmbët” talibanëve, përdor armë të reja në ushtrimet afër Afganistanit

  • G.G /
  • 10 August 2021 - 13:08
Rusia “ua tregon dhëmbët” talibanëve, përdor armë të reja në ushtrimet afër Afganistanit

Ushtarët nga Rusia, Taxhikistani dhe Uzbekistani përdorën armë, flakëhedhëse dhe raketahedhës të rinj rusë gjatë ushtrimeve ushtarake që u përmbyllën të martën vetëm 20 kilometra larg kufirit mes Taxhikistanit dhe Afganistanit.

Moska dhe aleatët e saj nga Azia Qendrore kanë mbajtur dy ushtrime të ndara ushtarake këtë muaj afër Afganistanit në kohën kur talibanët morën nën kontroll pjesë të mëdha të provincave veriore.

Ministri i Mbrojtjes i Taxhikistanit, Sherali Mirzo, u tha gazetarëve nga vendi i ushtrimeve se ato u mbajtën duke e pasur në mendje Afganistanin. “Situata në Afganistan është e paparashikueshme”, tha ai.

Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Uzbekistanit, Shukhrat Khalmukhamedov, tha: “Kjo situatë kërkon që ne të mbetemi vigjilentë dhe ta mbajnë gatishmërinë tonë luftarake.”

Në ushtrime u përfshinë 2.500 ushtarë, qindra automjete të blinduara dhe 25 mjete fluturuese. Përfshirja e forcave ruse erdhi nga baza ushtarake në Taxhikistan, që është qendra më e madhe e ushtrisë ruse jashtë vendit.

Komandanti rus i distriktit qendror, Alexander Lapin, tha se armët e shfaqura në ushtrime do të mbeten në bazën ushtarake në Taxhikistan.

(Kosova Sot Online)