Sali Berisha poston video: Isha mes shqiptarëve të Kosovës në Korçë kur Bregoviqi këndonte kundër NATO-s në Selanik

  • E.K /
  • 12 August 2021 - 11:14
 Sali Berisha poston video: Isha mes shqiptarëve të Kosovës në Korçë kur Bregoviqi këndonte kundër NATO-s në Selanik

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha nuk ka mbetur jashtë debatit për pjesëmarrjen e këngëtarit serb Goran Bregoviq në një festival në Korçë.

Berisha ka postuar në rrjetet sociale një video, ku shfaqet mes shqiptarëve të Kosovës që ishin strehuar në Korçë gjatë luftës. Berisha thotë se po në atë ditë, Bregoviqi këndonte në një koncert në Selanik kundër bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë për ta ndalur gjenocidin në Kosovë.

“Një përshëndetje të përzemert miq me këtë video. Në Korçë midis vëllezërve dhe motrave tona nga Kosova ditën që Bregoviçi i Vuçiçit dhe Edvinit protestonte me një koncert në Selanik kundër bombardimit nga NATO të kasapit të tyre Millosheviç! Kurrë më! Sb”, shkruan Berisha në Facebook.

Bashkia e Korçës ka vendosur që për Festën e Birrës ta ftojë në Shqipëri këngëtarin serb, Goran Bregoviq, duke kërkuar – menjëherë pas kritikave të para – që muzika e tij të mos përzihej me politikë. Duke e përzirë fort muzikën e tij në politikën gjenocidiale të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, këngëtari serb më 1999 kishte organizuar një koncert demonstrues kundër bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, e cila po kryente krime makabre në Kosovë.

(Kosova Sot Online)