30 ditë paraburgim ndaj dy drejtorëve dhe tre zyrtarëve të Komunës së Pejës, të dyshuar për korrupsion

  • G.G /
  • 14 August 2021 - 14:24
30 ditë paraburgim ndaj dy drejtorëve dhe tre zyrtarëve të Komunës së Pejës, të dyshuar për korrupsion

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj drejtorit për Çështje Pronësore, Arianit Krasniqi, drejtorit për Kadastër dhe Gjeodezi, Mustafë Nila dhe zyrtarëve komunal të Komunës së Pejës, Osman Kollqaku, Arxhend lleshi dhe Mentor Beqiri, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërsa për gjeodetët e dyshuar, Faton Bajselmani dhe Plarent Trakaniqi, Prokuroria e Pejës nuk ka paraqitur kërkesë për masë të sigurisë dhe të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar gjykatësi i procedurës paraprake, Shaqë Curri, i cili ka gjetur të bazuar kërkesën për paraburgim të Prokurorisë së Pejës dhe ka vendosur që të pandehurit të mbahen në këtë masë në afat prej 30 ditësh.

Ndryshe, në seancën dëgjimore të mbajtur më 13 gusht 2021, prokurorja Lumturije Vuqetaj ka paraqitur argumentet e saj për paraburgimin dhe argumentet e mbrojtjes për lirimin e të dyshuarve.

Kërkesën e tillë, prokurorja e bazoi në provat e grumbulluara gjatë hetimit, të cilat sipas saj, përbëjnë bazë për ekzistencën e veprës penale dhe rrezikun në asgjësimin e provave, ndikimit në dëshmitarë dhe rrezikun e përsëritjes së veprës.

Ky propozim hasi në kundërshtime të shumta nga mbrojtja e të pandehurve.

Mbrojtja parashtroi argumentet e saj në drejtim të kontestimit të ekzistencës së dyshimit të bazuar se të mbrojturit e tyre nuk kanë kryer veprat penale. Në veprimet e tyre, sipas mbrojtjes, nuk është realizuar asnjë interes financiar apo dëm për personat e tjerë.

Mbrojtësi i të pandehurit Krasniqi, avokati Besim Ahmetaj tha se i mbrojturi i tij duhet të lirohet nga ndalimi për shkak se nuk ishte respektuar afati brenda 48 orësh i mbajtjes së seancës dëgjimore prej arrestimit të klientit të tij dhe paraqitjes së kërkesës për caktimin e masës.

Mbrojtja e të pandehurve arguentuan se nuk ekzistonte asnjë bazë që klientet e tyre të ndikojnë në dëshmitarë pasi sipas tyre, Prokuroria nuk kishte propozuar asnjë dëshmitarë në hetime.

Sipas tyre, mosarsyetimi i duhur dhe i mjaftushëm i dyshimit të bazuar nga Prokuroria, nuk arsyeton caktimin e masës së paraburgimit.

Në fund ata kërkuan që gjykata të ndalojë praktikën e prokurorisë që në hetime të kërkojnë masën e paraburgimit.

“Me qenë dikush i ri në këtë profesion, mendon se ska masë tjetër përveç paraburgimit”, tha avokati Baloku.

Ata kërkuan që të mbrojturit të tyre të mbrohen në liri, duke kërkuar që kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit të refuzohet.

Ndryshe, sipas hetimeve të zgjeruara të nisura më 12 gusht 2021, Prokuroria e Pejës e ngarkon të pandehurin Arianit Krasniqi dhe Osman Kollqakun se më 14 maj 2020, në drejtorinë për Çështje Pronësore në Komunën e Pejës, me dashje dhe si bashkryes me të pandehurin Osman, hartojnë konkluzion dhe kërkesën për ndarje dhe regjistrim të pronës së këmbyer edhe pse e kanë ditur se ky regjistrim nuk mund të bëhet para se të bëhet vlerësimi i pronave nga Departamenti për Tatim në Pronë pranë Ministrisë së Financave, me të cilat ia kanë mundësuar personave G.Sh dhe H.K të regjistrohen si pronar në patundshmërinë e ngastrave kadastrale.

Për këtë, ata dyshohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, për të cilën parashihet dënimi prej 3 deri 10 vite burgim dhe dënim me gjobë.

Të pandehurit Mustafë Nila si drejtor i Kadastrit dhe Gjeodezisë në Pejë dhe Argjend Lleshi në cilësinë e zyrtarit pranë kësaj drejtorie, dyshohen se nuk kanë dërguar për vlerësim pronën për këmbim dhe të njëjtit lejojnë regjistrimin duke mos bërë vlerësimin e pronës, ashtu që i mundësojnë G.Sh dhe H.K, regjistrimin e pronës në atë drejtori ende pa u përmbushur obligimet reciproke mes komunës dhe personave të lartëcekur. Sipas hetimeve, këto vlerësime janë bërë më 30 shtator 2020 pasi që të njëjtit kanë lejuar regjistrimin dhe të gjitha këto me qëllim të marrjes sa më të shpejtë të lejes ndërtimore nga G.Sh dhe H.K.

Për këtë, ata dyshohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, për të cilën parashihet dënimi prej 3 deri 10 vite burgim dhe dënim me gjobë.

Tutje, Mentor Beqiri dyshohet se me mosveprim nuk ka zbatuar Ligjin për Ndërtim dhe autorizimet ligjore, pasi sipas Prokurorisë, i njëjti nuk kishte inspektuar fazat e ndërtimit në objektin “Gështenja ndërimit” dhe “5 V Homë” SH.P.K, dhe nuk i ka raportuar parregullsitë e objektit i cili sipas Prokurorisë nuk ishte ndërtuar sipas kushteve dhe lejes ndërtimore.

Për çka dyshohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, për të cilën parashihet dënimi prej 3 deri 10 vite burgim dhe dënim me gjobë.

Plarent Trakaniqi dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar –gjeodet i liçencuar pranë Agjencionit Kadastral të Kosovës, gjatë matjes gjeodezike të pllakës së bodrumit tek subjekti ekonomik 5 V Home”, nuk paraqet gjendjen faktike në raport me gjendjen kadastrale, e cili objekt sipas Prokurorisë është në kundërshtim me kushtet e lejes ndërtimore dhe me projektin.

Për çka dyshohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, për të cilën parashihet dënimi prej 3 deri 10 vite burgim dhe dënim me gjobë.

I pandehuri Faton Bajselmani dyshohet se në cilësinë e gjeodetit pranë AKK-së, gjatë matjes gjeodezike në subjektin ekonomik NNT Gështenja”, nuk ka paraqitur gjendjen faktike në terren në raport me gjendjen kadastrale sipas të dhënave dhe koordinatave. Sipas Prokurorisë matjet gjeodezike dhe inqizimet e tij, bien ndesh me matjet gjeodezike/inqizimet e ZKK-së, ashtu që objekti në fjalë është në kundërshtim me kushtet e lejes ndërtimore dhe me projektin

Për çka dyshohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, për të cilën parashihet dënimi prej 3 deri 10 vite burgim dhe dënim me gjobë.

(Kosova Sot Online)