Albin Kurti e nis mbledhjen e Qeverisë duke folur për 18-vjeçaren e vrarë në Ferizaj

  • E.K /
  • 25 August 2021 - 10:23
 Albin Kurti e nis mbledhjen e Qeverisë duke folur për 18-vjeçaren e vrarë në Ferizaj

Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka nisur mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, duke folur për vrasjen e 18-vjecares nga Ferizaj.

Para ministrave, Kurti tha se ndaj 18-vjeçares është shpërfaqur dhunë në mënyrë ç’njerëzore.

“Në formën më të rëndë dhe më çnjerëzore është shfaqë dhuna mbi Marigonën, të cilës dje ia dhamë lamtumirën e fundit. U ndjemë të pafuqishëm përballë një vdekje të tillë.

Nuk guxoj ti mendoj momentet e fundit të jetës së një vajze të brishtë, kjo gjë nuk duhet të ndodhë më, pas një veprimi të tillë, na shuhen shpresat e na bien fuqitë”, ka thënë Kurti.

“Vrasësi nuk ka njohur asgjë nga Marigona veç moshës së saj, viktimën e njohëm nga dhuna që u ushtrua për të, e të dyshuarin për vrasje nga biografia e tij”, shtoi ai.

Kryeministri ka ngushëlluar familjet, duke thënë se përgjegjësia i takon tërë trupës shoqërore.

“Ne nuk duhet të lejojmë që kujtesa jonë të mbushet me emra grash, duhet edukuar shpirti dhe arsyeja, nuk mund të tolerohen. Drejtësia është cështje e shoqërisë në tërësi, respekti i tjetrës-tjetrës dhe njeriut. Sot ngushëllojmë familjarët e Marigonës, ndërkaq, përgjegjësia i takon tërë trupës shoqërore”, tha i njëjti.

(Kosova Sot Online)