Gjykata arsyeton hudhjen e aktakuzës për korrupsion ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve

  • E.K /
  • 27 August 2021 - 10:03
 Gjykata arsyeton hudhjen e aktakuzës për korrupsion ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se hudhja e aktakuzës ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve është e bazuar, pasi Prokuroria nuk ka ofruar fakte se të pandehurit kanë kryer veprat penale të korrupsionit.

Madje, kjo gjykatë ka vlerësuar se Aliu dhe të tjerët vepruan sipas ligjin dhe kompetencave të tyre kur refuzuan disa kërkesa për lejimin e kushteve ndërtimore në të dëmtuarve.

Zbuloni kremin rigjenerues që Melisa përdor për lëkurën e saj!

Gjykata më 23 gusht, për të dytën herë, e ka hedhur poshtë aktakuzën për korrupsion ndaj ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të akuzuarve të tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.

Ky vendim është marrë nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi jashtë seancës së shqyrtimit gjyqësor, me ç’rast ka aprovuar kërkesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në vendimin e siguruar thuhet se nga dëshmitë dhe provat që prokuroria i ka bashkangjitur shkresave të lëndës, nuk rezulton dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit e lartcekur kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë.

“Të akuzuarit kanë vendosur në kuadër të autorizimeve të tyre, autorizime këto të përcaktuara me ligj dhe që lidhen dhe burojnë nga pozitat zyrtare që kanë ushtruar, e që në këtë kuadër përfshihen edhe vendosja lidhur me kërkesat e paraqitura për dhënien e kushteve të ndërtimit personave/palëve që kërkojnë të pajisen me të njëjtat, siç ka ndodhur edhe në rastin konkret kur tani të dëmtuarit kanë kërkuar të pajisen me kushtet ndërtimore për ndërtim individual”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Sipas vendimit të siguruar, të akuzuarit duke vlerësuar se kërkesa e paraqitur nga të dëmtuarit ishte në kundërshtim me Planin Rregullues Urban, e kishin refuzuar të njëjtën duke i dhënë mundësinë të dëmtuarve që vendimin ta atakojnë në procedurën administrative, e drejtë kjo e cila edhe ishte shfrytëzuar nga palët e pakënaqura.

E këto veprime të akuzuarve, sipas gjykatës së shkallës së parë, e përjashtojnë natyrën arbitrare dhe çfarëdo lidhje me ekzistencën e çfarëdo qëllimit të tyre që tu shkaktohet dëm të dëmtuarve.

“Është e gabuar që mos miratimi i kërkesave të palëve, të lexohen dhe interpretohen si qëllime që këtyre palëve të ju shkaktohen dëm nga personat zyrtar të cilët nxjerrin këto vendime në bazë të autorizimeve përkatëse të cilat i janë besuar me ligj, përderisa nuk ofrohen prova konkrete nga të cilat rezulton se të akuzuarit kanë vepruar me këtë qëllim, meqenëse për secilin vendim që pala është e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë duke argumentuar gabimet e organit të shkallës së parë”, thuhet në vendim.

Lidhur me pretendimin e organit të akuzës se të akuzuarit do të duhej të zbatonin Planin Zhvillimor Urban, si plan i nivelit më të lartë, gjykata ka theksuar se nuk i takon organit të akuzës të bëjë këtë përcaktim dhe se sipas gjykatës, është e paqartë në çka është bazuar Prokurori i Shtetit kur ka bërë një përcaktim të tillë.

Sa i përket veprës penale të “mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore” për të cilën akuzohen Olluri, Uka dhe Berisha-Prestreshi, në arsyetimin e gjykatës thuhet se në rastin konkret, nga provat e propozuara nuk rezulton dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit kanë refuzuar të zbatojnë apo nuk e kanë zbatuar brenda afatit ndonjë vendim të plotfuqishëm të ndonjë Gjykate në Republikën e Kosovës.

“Nëse i referohemi vendimit të 6 shtatorit 2017 të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), atëherë i njëjti është vendim i një organi administrativ dhe jo një organi gjyqësor, prandaj nuk mbulohet nga kjo dispozitë ligjore dhe moszbatimi i tij nuk tërheq përgjegjësi penale”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendim thuhet se edhe nëse organi i akuzës i referohet vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 8 nëntor 2017 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të datës 30 nëntor 2017, atëherë Komuna e Prishtinës, përkatësisht të akuzuarit e lartcekur kanë vepruar sipas këtyre vendimeve, duke qenë se përsëri kanë vendosur lidhur me kërkesën për lëshimin e kushteve ndërtimore.

Sipas arsyetimit të vendimit, organi i akuzës dashjen e të akuzuarve për t’i shkaktuar dëm të dëmtuarve e mbështet në deklaratën e të dëmtuarit Dan Imeri, e që gjykata ka vlerësuar se pakënaqësia e të dëmtuarve në cilësinë e paraqitësve të kërkesës është e pritshme dhe e kuptueshme dhe se për gjykatën ndryshe nga prokuroria kjo nuk është e mjaftueshme për të ngritur dyshime mbi qëllimin e personave zyrtar.

“Është thellësisht i gabuar pretendimi i prokurores së shtetit se meqenëse nuk është vendosur siç ka kërkuar pala, atëherë i është shkaktuar dëm të njëjtës, mirëpo edhe sikur të i jetë shkaktuar dëm eventual, organi administrativ nuk duhet të vendos bazuar në faktin nëse i shkaktohet dëm palës, mirëpo nëse është e mbështetur në ligj kërkesa e paraqitur nga pala”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Sa i përket referimit të organit të akuzës lidhur me dëshmitaren e cila nga cilësia e zyrtares ligjore në MMPH, ka deklaruar se vendimet e MMPH-së kanë qenë meritore dhe përfundimtare, sipas vendimit të gjykatës, kjo është në kundërshtim me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 2 gusht 2020, e cila kishte konstatuar se vendimet e MMPH-së nuk ishin as meritore dhe as përfundimtare.

Tutje në arsyetimin e vendimit thuhet se gjykata ka pasur parasysh edhe rekomandimet e gjykatës së shkallës së dytë, por se gjykata e shkallës së parë edhe në kushtet e sqarimit dhe trajtimit të gjithsecilit prej rekomandimeve, ka vendosur të hudhë poshtë aktin akuzues.

Kjo pasi që, sipas gjykatës, sa i përket paqartësive ligjore, ajo në vendimin e mëparshëm nuk i ishte referuar të njëjtave, mirëpo paqartësisë së shprehur si kontradiksion të vendimit të nxjerrë nga MMPH, në të cilin vendim të akuzuarit obligohen ta zbatojnë një dispozitë ligjore vetëm në rastin e mungesës së planit rregullues urban e që sipas gjykatës në rastin konkret plani i tillë ka ekzistuar.

“Nëse gjykata e shkallës së dytë i është referuar kërkimit të opinionit ligjor lidhur me zbatimin e vendimit të lartcekur, atëherë gjykata vlerëson se me të drejtë, të akuzuarit nuk kanë kërkuar një mendim të tillë meqenëse të akuzuarit janë obliguar që të veprojnë në një mënyrë që nuk ka qenë e mundur të veprohet, në kushtet e ekzistimit të planit rregullues urban dhe se anashkalimi i këtij plani, përderisa i njëjti ka ekzistuar dhe ka qenë në fuqi, me të drejtë të akuzuarit kanë vlerësuar se mund të shkaktoj pasoja ligjore dhe të njëjtit të i vendos para përgjegjësisë për veprimet apo mos veprimet e ndërmarra” thuhet në vendimin e gjykatës.

Kurse sa i përket, rekomandimit/konstatimit të Apelit për detyrat dhe përgjegjësitë e të akuzuarve, sipas Themelores, nga asnjë palë në procedurë, nuk janë kontestuar të drejtat dhe përgjegjësitë e të akuzuarve në raport me nxjerrjen dhe ekzekutimin e vendimeve.

“Organi i akuzës thekson se të akuzuarit kanë vepruar në kuadër të autorizimeve që kanë pasur, mirëpo që kanë keqpërdorur të njëjtat dhe se të akuzuarit në të gjitha deklaratat e tyre e kanë pranuar faktin se kanë nxjerrë vendime, duke dhënë arsyet e tyre mbi këtë formë vendosje, përkatësisht mbi të gjitha veprimet e ndërmarra në raport me atë çështje administrative”, ceket në vendim.

Në fund thuhet se gjykata ka vlerësuar edhe pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarve lidhur me afatin e hetimeve, përkatësisht ngritjes së aktakuzës pas afatit apo shpalljen e provave të caktuara si të papranueshme, por që gjykata këto pretendime i ka gjetur si të pabazuara dhe për të njëjtat nuk është lëshuar në elaborimin e arsyetimit marrë parasysh se të njëjtat tani më janë jo lëndore.

Në qershor të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar kërkesat për hudhje të aktakuzës për korrupsion ndaj ministrit Aliu dhe pesë të akuzuarve të tjerë, mirëpo një vendim i tillë ishte anuluar nga Gjykata e Apelit dhe rasti ishte kthyer në rivendosje.

Ndryshe, më 23 mars 2021 “Betimi për Drejtësi” kishte njoftuar opinionin publik se ndaj ministrit Aliu rëndojnë akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Gjashtë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 30 prill 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që të iu shkaktohet dëm të dëmtuarve, të pandehurit e lartcekur e kanë refuzuar si të pabazë kërkesën për lejimin e kushteve ndërtimore të të dëmtuarve Dan Imeri, Robert Biblekaj, Valon Kozmaqi, Albert Munipi, Bujar Xërrxa, Argjend Haziraj, Shaqir Arapi, Arben Qosaj, Denis Nushi, Drita Berisha, Mirushe Latifaj, Naser Salihu, Gazmend Luboteni, Bekim Bojku, Mimoza Fejzullahu, Drita Bektashi, Hajriz Smakiq, Milivoje Zlatibor Llekiç nga Prishtina për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale të banimit, në kuadër të bllokut Urban ‘‘I-1’’ dhe ‘‘I-2’’ të tërësisë hapësinore ‘‘I’’ të planit rregullues Prishtina e Re Zona Perëndim për parcelat kadastrale me nr.413-3, 413-5, 413-6, 413-7, 413-8, 413-9, 413-10, 413-11, 413-12, 413-12, 413-13, 413-14, 413-15, 413-16, 413-17, 413-18, 413-19, 413-21, 413-22, 413-23, 413-24, 413-25, 413-26, 413-27, 413-28, 413-29, 413-31, 413-32, 413-33, 413-34.

Sipas kësaj aktakuze, të pandehurit Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi edhe përkundër se për të njëjtën lëndë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nxjerrë Vendimin me nr.A-231/2017 të datës 06.09.2017 ku kishte aprovuar si të bazuar Ankesën e Dan Imeri, nga Prishtina dhe kishte shfuqizuar Vendimin 05.nr.351-290419 të datës 21.06.2017 i Drejtorisë së Urbanizmit Komuna e Prishtinës, ku kishte obliguar Drejtorinë e Urbanizmit Komuna e Prishtinës që të zbatoj dispozitat e planit zhvillimor Urban nr.01-035-181427, datës 24.09.2013 si dhe dispozitat e nenit 18 të Ligjit Nr.041/L-110 për Ndërtim, të pandehurit e lartcekur Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi nxjerrin vendimin me nr.05 nr. 350-290419 të datës 07.05.2018, me të cilin vendim, me qëllim që të iu shkaktojnë dëm të dëmtuarve, e refuzojnë kërkesën e të dëmtuarve – pronarëve Dan Imeri, Robert Biblekaj, Valon Kozmaqi, Albert Munipi, Bujar Xërrxa, Argjend Haziraj, Shaqir Arapi, Arben Qosaj, Denis Nushi, Drita Berisha, Mirushe Latifaj, Naser Salihu, Gazmend Luboteni, Bekim Bojku, Mimoza Fejzullahu, Drita Bektashi, Hajriz Smakiq, Milivoje Zlatibor Llekiç nga Prishtina për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale të banimit, në kuadër të bllokut Urban ‘‘I-1’’ dhe ‘‘I-2’’ të tërësisë hapësinore “I’’ të planit rregullues Prishtina e Re Zona Perëndim për parcelat kadastrale të lartcekura me nr. 413-3, 413-5, 413-6, 413-7, 413-8, 413-9, 413-10, 413-11, 413-12, 413-12, 413-13, 413-14, 413-15, 413-16, 413-17, 413-18, 413- 19, 413-21, 413-22, 413-23, 413-24, 413-25, 413-26, 413-27, 413-28, 413-29, 413-31, 413-32, 413-33, 413-34, me ç’rast të dëmtuarve të lartcekur iu kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në pikën e dytë të kësaj aktakuze, Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi po akuzohen edhe se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës nuk kanë zbatuar vendimin nr. A-231/2017 të datës 06.09.2017 të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të njëjtit nuk kanë zbatuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë A.Nr.1827/17 të datës 08.11.2017, dhe të njëjtit nuk kanë zbatuar Aktvendimin A.nr 514/2017 të datës 30.11.2017 të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, me të cilët Aktvendime refuzohet i pabazuar propozimi i paditësit Komuna e Prishtinës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit me numër A-231/17 të datës 06.09.2017, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Prokuroria pretendon se edhe përkundër këtyre vendimeve të pandehurit e lartcekur prapë kanë filluar të trajtojnë lëndën që nga fillimi që ka të bëj me caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale në Prishtinë në parcelat kadastrale nr.413-3, 413-5, 413- 6, 413-7, 413-8, 413-9, 413-10, 413-11, 413-12, 413-12, 413-13, 413-14, 413-15, 413-16, 413-17, 413-18, 413-19, 413-21, 413-22, 413-23, 413-24, 413-25, 413- 26, 413-27, 413-28, 413-29, 413-31, 413-32, 413-33, 413-34, me ç’rast të dëmtuarve Dan Imeri, Robert Biblekaj, Valon Kozmaqi, Albert Munipi, Bujar Xërrxa, Argjend Haziraj, Shaqir Arapi, Arben Qosaj, Denis Nushi, Drita Berisha, Mirushe Latifaj, Naser Salihu, Gazmend Luboteni, Bekim Bojku, Mimoza Fejzullahu, Drita Bektashi, Hajriz Smakiq, Milivoje Zlatibor Llekiç nga Prishtina, iu kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore, nga neni 402 par 2 lidhur me par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Lidhur me pretendimet e përfshira në këtë aktakuzë, “Betimi për Drejtësi” ka provuar që para publikimit të këtij lajmi të marrë një qëndrim nga ministri Liburn Aliu, por i njëjti nuk u është përgjigjur thirrjeve.

Ndryshe, Qeveria Kurti 2, në të cilën Aliu ka marrë pozitën e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është votuar më 22 mars 2021 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. 

(Kosova Sot Online)