Shkeli masën e arrestit shtëpiak, kapet me drogë polici që u suspendua për dhunë në familje

  • G.G /
  • 31 August 2021 - 12:07
Shkeli masën e arrestit shtëpiak, kapet me drogë polici që u suspendua për dhunë në familje

Zyrtari policor që ishte suspenduar në janar të këtij viti, Bedri Januzi, si i dyshuar për dhunë në familje, është arrestuar pasi ka shkelur masën e caktuar nga Gjykata, atë të arrestit shtëpiak.

I njëjti, sipas burimeve të Sinjalit, dyshohet se kishte dalë nga shtëpia për t’u furnizuar me drogë, me ç’rast Policia i ka gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike të llojit marihuanë.

Januzi kishte qëndruar në paraburgim dhe më pas Gjykata ia kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Ai ishte arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “dhunë në familje”, duke sulmuar fizikisht gruan e tij.

Polici i suspenduar u arrestua mbrëmë dhe dyshohet edhe për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike.”

(Kosova Sot Online)