Inspektimi i masave kundër koronavirusit, edhe Sveçla del në terren

  • A.P /
  • 31 August 2021 - 22:20
Inspektimi i masave kundër koronavirusit, edhe Sveçla del në terren

Me hyrjen në fuqi të orarit të orës policore ka nisur inspektimi i zbatimit të masave antiCOVID-19 në Prishtinë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i është bashkuar policisë dhe inspektorëve të AUV në inspektimin e lokaleve përgjatë Rrugës B.

Ministri Sveçla nuk ka dashur të deklarohet për media lidhur me aksionin e ndërmarrë, por nga Qeveria më herët kanë paralajmëruar se do të jenë të pa kompromis në zbatimin e masave të reja në kohën kur situata epidemiologjike në Kosovë është rënduar pas shtimit të rasteve të vdekjeve nga COVID-19.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar 26 të vdekur, ndërsa dje ky numër ishte 20 dhe një rekord i zi është regjistruar të dielën me 36 viktima, shifër kjo më e larta që nga paraqitja e rasteve të para në mars të vitit të kaluar.

Masat kanë hyrë në fuqi nga data 30 gusht dhe do të zgjasin deri më 13 shtator, kur bëhet edhe vlerësimi i ri i situatës. Po ashtu, qeveria ka vendosur që viti i ri shkollor i paraparë për 1 shtator, të shtyhet për datën 13 shtator.

Masat e reja përfshijnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri 05:00. Gastronomia lejohet të punojë deri në orën 21:30 dhe atë vetëm në hapësira të jashtme, në pajtim me udhëzuesin përkatës.


(Kosova Sot Online)