Ndoti asfaltin me beton, kompania në Prizren gjobitet me 1 mijë euro

  • E.K /
  • 06 September 2021 - 11:21
 Ndoti asfaltin me beton, kompania në Prizren gjobitet me 1 mijë euro

Policia në Prizren ka gjobitur një kompani të betonit, pasi është derdhur beton në rrugë, duke i penduar pjesëmarrësit në komunikacion.

Rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën magjistrale Krushë-Prizren, ka bërë të ditur policia.

“Sot, në rrugën magjistrale Krushë-Prizren, një kompani vendore e cila po transportonte beton, nga mos kujdesi i kompanisë ka pasur derdhje të betonit në Landovicë, duke penguar pjesëmarrësit në komunikacion. Zyrtarë hetues nga njësia e trafikut rajonal në Prizren, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas verifikimit dhe hetimit të situatës, kanë konstatuar se derdhja e betonit është bërë nga një kompani ndërtimore vendore”, bëhet e ditur në njoftimin e policisë.

Policia ka njoftuar se kompania në fjalë është gjobitur me 1 mijë euro.

“Hetuesit kanë kontaktuar me kompaninë e ndërtimit dhe të njëjtit e kanë pranuar kundërvajtjen e kryer, andaj në zbatim të ligjit për kundërvajtje sipas ligjit 05/L-088, neni 34, paragrafi 5, është shqiptuar gjobë në vlerë prej 1000 euro. Kompania është detyruar të pastrojë mbetjet e betonit në rrugë, të cilat janë derdhur nga kamioni dhe kanë shkaktuar pengesë për pjesëmarrësit tjerë në komunikacion. Tani rruga është e lirë dhe pa pengesa”, thuhet në njoftimin e policisë.

(Kosova Sot Online)