Me kallashnikov dhe dy automjete, 6 persona i grabitin “Audin” kosovarit, në “Rrugën e Kombit”

  • E.K /
  • 07 September 2021 - 13:20
Me kallashnikov dhe dy automjete, 6 persona i grabitin “Audin” kosovarit, në “Rrugën e Kombit”

Gjashtë persona të armatosur i grabitën automjetin në Lezhë një qytetari nga Kosova.

Njëra prej makinave që ndoqi të riun duke i bllokuar më pas rrugën ishte pajisur me fenelina policie.

Pas denoncimit forcat e rendit kanë nisur hetimet ndërkohë që autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk janë identifikuar.

Një shtetas nga Kosova është grabitur në zonën e Lezhës mbrëmjen e së dielës teksa kthehej nga Mali i ZI.

Gjashtë persona të armatosur me kallashnikov dhe me dy automjete, njëra prej të cilave e pajisur me fenelinë policie, i kanë marrë me forcë automjetin “Audi Q7” shtetasit nga Kosova në rrugën Lezhë-Milot.

Meriton Ahmetaj, 27 vjeç, nga fshati Korishë i Komunes së Prizrenit ka denoncuar ngjarjen në polici duke theksuar se fillimisht ka menduar se autorët ishin efektiva të rendit.

I riu ka shpjeguar se po kthehej nga Mali i Zi, kur rreth orës 22:00 është ndjekur nga mjeti me fenelinë policie i shoqëruar edhe nga një makinë tjetër.

I riu nga Kosova është shprehur se njëra prej automjeteve që po e ndiqte e ka parakaluar duke i bllokuar rrugën, ndërkohë që automjeti tjetër ka qëndruar prapa.

Personat e armatosur me kallashnikov kanë dalë nga mjetet e tyre dhe I kanë bërë thirrje drejtuesit të mjetit të dorëzojë automjetin, duke e kërcënuar se do ta vrisnin.

I gjendur nën kërcënimin e armës, 27 vjeçari nuk ka rezistuar dhe u ka dorëzuar automjetin grabitësve të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes ndërkohë që pas denoncimit, policia ka nisur hetimet.

Njoftimi i policisë

Në aksin rrugor Milot-Rrëshen, persona ende të paidentifikuar, të cilët udhëtonin me mjet tip “BMW ” , i kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip “Audi” me drejtues shtetasin M.A.,21 vjeç dhe pasagjer shtetasin F.M., 21 vjeç, banues në Kosovë, ku pasi kanë ndaluar , ju kanë marrë automjetin dhe janë larguar.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor mënjëherë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për fiksimin e çdo provë të vlefshme që do ti shërbejë hetimit, për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e dokumentimin e kësaj ngjarje.

Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kurbin disa shtetas që mund të kenë dijeni për ngjarjen, si dhe janë sekuestruar pamje filmike.

Gjithashtu, janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje, më qëllim kapjen e autorëve.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna për zbardhjen e dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.

(Kosova Sot Online)