Talibanët do t’ua ndalojnë sportin grave: S’është e nevojshme të luajnë kriket

  • E.K /
  • 08 September 2021 - 15:35
 Talibanët do t’ua ndalojnë sportin grave: S’është e nevojshme të luajnë kriket

Gratë afgane, përfshirë ekipin e grave në kriket, nuk do të lejohen që të luajnë sporte gjatë pushtetit të qeverisë së re talibane, sipas një zyrtari të këtij grupi.

Në një intervistë për transmetuesin australian, SBS, nënkryetari i komisionit kulturor të talibanëve, Ahmadullah Wasiq, tha se sporti i grave nuk vlerësohet as i duhur, as i nevojshëm, shkruan The Guardian.

“Nuk mendoj që gratë do të lejohen të luajnë kriket, sepse nuk është e nevojshme që gratë të luajnë kriket. Në kriket, ato mund të përballen me një situatë në të cilën fytyra dhe trupi i tyre nuk janë të mbuluara. Islami nuk lejon që gratë të shihen kështu”, tha ai.

“Është epoka e medieve dhe do të ketë fotografi e video, pastaj njerëzit do t’i shikojnë ato. Islami dhe Emirati Islamik (i Afganistanit) nuk i lejojnë gratë që të luajnë kriket apo llojet e sporteve ku ato ekspozohen”, shtoi zyrtari afgan.

Ndryshe, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar përbërjen e qeverisë së re talibane për mungesë të gjithëpërfshirjes.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, tha se përbërja e qeverisë së re në Afganistan lë pak optimizëm për të besuar se talibanët kanë ndryshuar.

(Kosova Sot Online)