Kina: ShBA-ja dhe aleatët e saj e kanë për detyrë ta ndihmojnë Afganistanin

  • A.P /
  • 08 September 2021 - 16:03
Kina: ShBA-ja dhe aleatët e saj e kanë për detyrë ta ndihmojnë Afganistanin

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj e kanë më shumë për detyrë që t’i ofrojnë Afganistanit ndihma ekonomike dhe humanitare se secili shtet tjetër, thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie.

Kryediplomati kinez tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët duhet ta ndihmojnë zhvillimin pozitiv të Afganistanit duke i respektuar sovranitetin dhe pavarësinë e tij, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Wang shtoi se Kina do t’i dhurojë Afganistanit drithëra, vaksina, ilaçe dhe produkte për dimër në vlerën e 31 milionë dollarëve, duke shtuar se tashmë ka vendosur që të dhurojë si donacion një grup fillestar prej 3 milionë dozave të vaksinës kundër Covid-19 për popullin afgan.

Ai gjithashtu u bëri thirrje talibanëve që t’i shkëpusin lidhjet me forcat terroriste ekstreme dhe të marrin masa për t’i shtypur ato.

Ministri kinez i bëri këto komente gjatë një takimi virtual me diplomatët e shteteve fqinje të Afganistanit, bëhet e ditur në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

(Kosova Sot Online)