Daut Haradinaj reagon pas tragjedisë në Pejë: Në këto kohë të vështira na duhet pajtim

  • E.K /
  • 09 September 2021 - 10:48
 Daut Haradinaj reagon pas tragjedisë në Pejë: Në këto kohë të vështira na duhet pajtim

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj vrasjeve të dy zyrtarëve të PDK-së në qytetin e Pejës.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

“Me keqardhje pranova lajmin për vrasjen e kandidatit për Kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj, dhe zyrtarit të PDK-së në Deçan, Blerand Kadrijaj.Ngushëllime familjarëve dhe miqve! Në këto kohë të vështira na duhet pajtim. Astriti dhe Blerandi, u prehshin në paqe!”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka dhënë detaje për dy vrasjet që kanë ndodhur mbrëmë në Pejë.

Në një njoftim që ka nisur policia për këtë rast, thuhet se në ora 20:15 është raportuar për të shtëna me armë zjarri.

Një person i tretë ka pësuar lëndime trupore.

“Pejë, 08.09.2021 – 20:15. Është raportuar të shtëna me armë zjarri. Njësitë relevante policore kanë dal në vendin e ngjarjes, për shkak të plagëve të marra, viktimat janë  dërguar në spitalin e Pejës për trajtim mjekësor. Nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e dy viktimave meshkuj kosovarë, ndërsa viktima e tretë për shkak të plagëve është dërguar për tretman në QKUK-Prishtinë. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili pas analizimit të rastit ka bërë ri- cilësimin e viktimës së tretë në të dyshuar dhe me vendim të prokurorit, tani i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Dy personta që kanë mbetur të vdekur gjatë mbrëmjes së djeshme në Komunën e Pejës janë kandidati për kryetar të kësaj komune nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati i PDK-së për Deçanin, Blerand Kadriaj.

Ngjarja ka ndodhur afër shkollës Ekonomike “Ali Hadri” në Pejë. Burime të medias zbulojnë prapaskenat e rastit.

Dy viktimat dyshohet se kanë qenë në një lokal dhe për një moment kanë sulmuar njëri tjetrin. Dyshohet se Ademaj e Kadriaj kanë shkrepur me armë ndaj njëri tjetrit me ç’rast kanë mbetur të vrarë.

I plagosur nga shkrepja e armëve ka mbetur vëllai i Astrit Ademajt, Avni Ademaj.

(Kosova Sot Online)